Arsimtari i muzikës, vëllai i Sekretarit të MKRS-së raportohet se u transferua në Bibliotekën Kombëtare

Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje e ka avancuar nga mësimdhënës në zyrtar të lartë të bibliotekës kombëtare një familjar të Bislim Bislimit, sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Fikret Bislimi, vëllai i Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, është transferuar në një pozitë si zyrtar i lartë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ai është transferuar…

Lajme

23/05/2025 16:11

Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje e ka avancuar nga mësimdhënës në zyrtar të lartë të bibliotekës kombëtare një familjar të Bislim Bislimit, sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Fikret Bislimi, vëllai i Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, është transferuar në një pozitë si zyrtar i lartë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ai është transferuar në pozitën e lartë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” nga pozita e mësimdhënësit në një shkollë të Komunës së Podujevës, tregon një dokument zyrtar i Komunës së Podujevës.

Krahas punës si mësimdhënës i lëndëve muzikore, Fikret Bislimi ka zhvilluar karrierë edhe në muzikë.

Dokumenti, të cilin e ka siguruar Paparaci, është një autorizim i kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi për drejtorin e Arsimit, Avni Fetahu, që ia delegon atij kompetencat për nënshkrimin e një marrëveshje mes Komunës dhe Bibliotekës Kombëtare për transferimin e Fikret Bislimit.

“Autorizohet z. Avni Fetahu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Podujevës që në emër të Komunës, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi të ndërmarr veprime dhe të nënshkruaj marrëveshjen në mes Biblitoekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ dhe Komunës së Podujevës për transferim të përhershëm në pozitën e zyrtarit të lartë për biblioteka në kuadër të Bibliotekës në fjalë të zyrtarit z. Fikret Bislimi, aktualisht mësimdhënës i lëndëve muzikore në Komunën e Podujevës”, thuhet në vendimin e kryetarit Bulliqi, të nënshkruar më 30 prill të këtij viti, gati katër javë më parë.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është institucion publik i cili vepron nën autoritetin e Ministrisë së Kulturës, administratën e së cilës e udhëheq Bislim Bislimi, vëllai i Fikret Bislimit.

Bislim Bislimi, një shërbyes shumë-vjeçar i administratës së Ministrisë së Kulturës, ishte shndërruar në një nga njerëzit e afërm të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrit në detyrë Hajrulla Çeku.

Kjo afërsi e shpërbleu atë me emërim në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës rreth një vit e gjysmë më parë.

I pyetur për transferimin e vëllait të tij në pozitën e zyrtarit të lartë për biblioteka në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Bislim Bislimi tha Paparacit përmes një bisede telefonike të premten se MKRS-ja nuk e menaxhon Bibliotekën.

“Drejtoni me shkrim ju lutem, drejtoni me shkrim se ne nuk e menaxhojmë Bibliotekën”, tha ai, para se ta mbyllte telefonin.

Në muajin prill, Bislimi ishte një nga figurat që i doli në ballë betejës së Ministrisë së Kulturës me Komunën e Prishtinës rreth pretendimeve për shmangie të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore në disa projekte të nisura në kryeqytet, përfshirë edhe atë te sheshit “George Bush”.

Në një konferencë për media më 10 prill, Bislim Bislimi i cilësoi veprime të qëllimshme të paligjshme hapat e ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës në raport me punimet në zonat e mbrojtura me ligj të trashëgimisë kulturore.