Arsim Bajrami e kujton me plot emocione ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, saktësisht të dielën në orën 15 e 39 minuta, 13 vjet më parë.

Lajme

17/02/2021 17:39

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë që edhe sot e kujton atë ditë me plot emocione.

“Edhe pse kanë kaluar 13 vjet, sot e kujtoj me plot emocione atë ditë. Ishte një ditë historike e cila zgjoi emocione te të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Në tërë globin, shqiptarët këtë ditë do ta mbajnë mend si një ditë feste dhe krenarie ku lindi Republika e Kosovës”.

“Për mua personalisht, ka qenë dita më e gëzuar në jetë, pasi u kurorëzua një proces në të cilin bashkë me shumë shokë kishim kontribuar gati për 27 vite, sepse procesi i lindjes së shtetit ka filluar në vitet e 90-ta, kur ne e kishim shpallë njëherë pavarësinë, por fatkeqësisht ajo nuk u njoh”.

“Themeli i shtetit të Kosovës, u vendos në vitet e 90-ta, ku populli u bashkua rreth kauzës së Pavarësisë dhe pas 17 vitesh ne kurorëzuam këtë ditë madhore dhe kjo të gjithëve na zgjoi emocione, pasi u shpagua një përpjekje shekullore e shumë gjeneratave për të parë realitetin e lindjes së një shteti”.

Bajrami në Info Magazine në Klan Kosova, tutje tha që ishte fat për të që të ishte pjesëmarrës i këtij procesi.

“Ishte një proces shumë i vështirë i lindjes së një shteti dhe ishte fat i madh për ne që të jemi protagonistë të këtij procesi dhe njëkohësisht edhe përgjegjësi për gjeneratat e reja që të kuptojnë që ky shtet ka lindur shumë vështirë, mbi bazën e sakrificave sublime”.