Arrihet Marrëveshja me Maqedoninë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka konfirmuar për lajmi.net se është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Maqedonisë. Sipas tij, zhbllokimi i plotë do të bëhet nesërmbrëma në orën 24. Gjendja do të kthehet në pikën zero, ashtu siç ishte më herët.

Lajme

13/09/2013 16:24

Është arritur marrëveshja në mes të Kosovës dhe Maqedonisë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili është i përfshirë në bisedimet me zyrtarët e Maqedonisë për zgjidhjen e ngërçit mes dy vendeve.

“Po, është arritur marrëveshja nga të dyja palët.”

“Tanimë kemi konfirmimin edhe të Qeverisë së Maqedonisë dhe zhbllokimi i plotë do të bëhet nesër në orën 24, domethënë ashtu siç ka qenë edhe më herët, do të thoja kthim në pikën zero.”

“Besoj që gjëra të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen. Përkundrazi, do të ketë grupe punuese që do të punojnë me kujdes dhe do të merren me çështje të tilla që mos të kemi skena të tilla të bllokimeve ndërkufitare.”

Maqedonia pret datën 15

Kosova dhe Maqedonia janë të gatshme të kthehen në pikën zero.

Por, me gjithë bisedimet që po zhvillojnë zyrtarët e të dyja vendeve, duket se implementimi ka mbetur të bëhet me datën 15.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i angazhuari i Qeverisë për këto bisedime, të cilat po i zhvillon në distancë me Maqedoninë, thotë se ende nuk ka marrëveshje të shkruar në letër.

“Ende jemi në konsultime.”

Sipas Kosovapress, po bisedohet për detajet që një gjë e tillë të mos ndodhë më, ngase tashmë palët janë pajtuar që të kthehen në pikën zero.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila, e cila ka marrë vendimin për ndalesën e disa produkteve maqedonase, thotë se vendimi është marrë në pajtueshmëri me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Ajo e sheh të pakuptimtë që Maqedonia pastaj ka vendosur edhe taksa për qytetarët, madje edhe ka bllokuar rrugën.

“Ky është një sinjal që i tregon Maqedonisë që ne më në fund kemi marr një qëndrim dhe ky qëndrim do të jetë i njëjti edhe në raste tjera nëse vendos t’i mbrojë produktet e tjera.”

Meqë Maqedonia nuk ka hequr taksën e miellit pas 2 shtatorit, Kosova ka marrë masa për ndalimin e disa produkteve maqedonase, ku pastaj Maqedonia ka reaguar duke vendosur taksë për qytetarët e Kosovës prej 2 euro, për automjete 5, ndërsa për autobus 10 euro, e që më vonë pasoi edhe me bllokimin e rrugës.

Ndërsa Serbia për heqjen e masës ndaj miellit, i ka dhënë kohë Maqedonisë deri më datë 15, të dielën.

Bllokimi i rrugës dhe pengimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shihet si diçka negative për Maqedoninë, aq më shumë që është kandidate për BE.