Arrestohet një zyrtar korrektues që ndihmojë në arratisjen e të burgosurit serb nga burgu i Mitrovicës së Veriut

Një zyrtar korrektues është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka ndihmuar në arratisjen e një të paraburgosuri nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë Veri. Ngjarja ndodhi më 7 gusht 2025, ndërsa arrestimi i zyrtarit u krye sot, më 14 gusht, pas hetimeve të zhvilluara nga Njësitë e Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me…

Lajme

14/08/2025 18:27

Një zyrtar korrektues është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka ndihmuar në arratisjen e një të paraburgosuri nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë Veri.

Ngjarja ndodhi më 7 gusht 2025, ndërsa arrestimi i zyrtarit u krye sot, më 14 gusht, pas hetimeve të zhvilluara nga Njësitë e Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me Inspektoratin e Burgjeve, lajmi.net

I dyshuari, N.P., 52 vjeç, u arrestua pasi u identifikua si person i përfshirë në ndihmën për arratisjen. Gjatë arrestimit, policia i ka sekuestruar një telefon mobil, i cili dyshohet se është përdorur për komunikim lidhur me arratisjen.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon operacionet për kapjen e personit të arratisur, i cili ende nuk është lokalizuar. Autoritetet nuk kanë dhënë emrin e të arratisurit, por kanë bërë të ditur se ai është kërkuar për disa vepra penale dhe informatat e plota janë të paraqitura në dokumentet zyrtare të bashkangjitura me njoftimin.

Policia ka bërë apel për bashkëpunim qytetar, duke kërkuar nga të gjithë ata që kanë informacione relevante për personin e arratisur, të kontaktojnë menjëherë përmes numrit emergjent 192 ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Hetimet rreth këtij rasti vazhdojnë./Lajmi.net/