Arrestohet në veri të Mitrovicës personi i dënuar me 7 muaj burgim për vjedhje në tentativë
Policia e Kosovës ka arrestuar në veri të Mitrovicës një person të kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i cili ishte dënuar me shtatë muaj burgim efektiv për veprën penale “Vjedhje në tentativë”. Sipas njoftimit të Policisë, më 9 shtator 2026, në Stacionin Policor Mitrovicë Veri është paraqitur personi me inicialet H.B., i lindur në…
Lajme
Policia e Kosovës ka arrestuar në veri të Mitrovicës një person të kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i cili ishte dënuar me shtatë muaj burgim efektiv për veprën penale “Vjedhje në tentativë”.
Sipas njoftimit të Policisë, më 9 shtator 2026, në Stacionin Policor Mitrovicë Veri është paraqitur personi me inicialet H.B., i lindur në vitin 2001.
Policia ka bërë të ditur se paraprakisht kishte kërkuar personin në vendbanimin e tij, pas informatave të pranuara nga qytetarët se ai ndodhej në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, H.B. është shoqëruar dhe më pas është dërguar në vuajtje të dënimit, në përputhje me urdhër-arrestin e lëshuar nga gjykata.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të raportojnë çdo informacion lidhur me personat e kërkuar, përmes numrit 192, në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka theksuar se do të vazhdojë zbatimin e urdhëresave të gjykatave ndaj personave të kërkuar. /Lajmi.net/