Arrestohet “Massimo”, bosi shqiptar i drogës dhe prostitucionit në Bolonjë

Policia italiane ka arrestuar sot shqiptarin me inicialet E.B 31 vjeç i njohur me pseudonimin “Massimo”, pronar i klubit të natës “Blade Runner” në qytetin e Bolonjës në Itali.

Lajme

25/07/2015 23:38

Akuza ndaj tij është shfrytëzim prostitucioni e mashtrim fiskal. Dhe pse formalisht “Massimo” nuk rezultonte pronar i klubit të natës, hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar të kundërtën.

Ndihmuar nga katër shtetas italianë, rezidentë në qytetin e Bolonjës, shqiptari E.B zotëronte tërë aktivitetin financiar të këtij klubi me përfitim ekonomik dhjetëra mijëra euro në muaj duke e regjistruar lokalin në formën e një shoqërie kulturore pa qëllim përfitimi.

Hetimet e policisë kanë zbuluar gjithashtu se brenda ambienteve të klubit të natës “Blade Runner”, shqiptari 31-vjeçar administronte fshehurazi aktivitetin e shfrytëzimit të prostitucionit.

Rreth 15 vajza që alternoheshin me turne pune çdo natë, ofronin për klientët raporte seksuale në dhoma të ngritura enkas për këtë qëllim.

Të 15 vajzat, të gjitha me kombësi të huaj, shumica e të cilave me origjinë rumune e nga Afrika e Veriut, përfitonin 50 për qind të parave të përfituara nga çdo raport i tyre seksual me klientët si dhe 10 përqind për çdo pije të konsumuar nga ata.

Klubi i natës “Blade Runner” mbante dikur emrin “Bunga Bunga”, një lokal i frekuentuar kryesisht nga shqiptarë kundrejt një tesere anëtarësimi.

Sipas policisë italiane ky lokal në bazë të dëshmive të klientëve ishte gjithashtu një vend trafikimi i kokainës.

Kjo lëndë narkotike u ofrohej lehtësisht klientëve kundrejt kërkesës e pagesës.

Për të mos rënë në sytë e policisë italiane e evituar kontrollet, shqiptari “Massimo” kishte urdhëruar mos kapërcimin e shumës së 1000 eurove të konsumuar çdo natë nga çdo klient i lokalit.

Hetimi i policisë italiane ndaj klubit të natës “Blade Runner” në Bolonja erdhi si rezultat i denoncimit të një prej vajzave, viktimë e aktivitetit ilegal të prostitucionit.

Nën arrest janë vënë dhe personi M.C 52 vjeç, formalisht President i shoqërisë kulturore, italiani G.M, 43 vjeç Sekretar i shoqërisë, por me detyrë reale kontrollin e klientëve që mbushnin lokalin, arkëtarin P.P 66 vjeç e taksistin P.S 67 vjeç që shoqëronte vajzat dhe në shtëpitë e klientëve.

Lokali i natës “Blade Runner” është vënë nën sekuestrimin e policisë italiane.