Arrestohet grabitësi në Prizren

I dyshuari për vjedhjen e 600 eurove në pompën e karburanteve “Lindi Petrol” në Grykë të Carralevës është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Lajme

25/03/2014 19:22

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën në qytetin e Prizrenit Azem B., i cili dyshohet se kishte kryer grabitje në pompën e karburanteve “Lindi Petrol” në Grykë të Carralevës ditën e 6 marsit.

Në njoftim të Policisë së rajonit të Prizrenit thuhet se me urdhër të prokurorit i dyshuar i është shqiptuar masa e arrestit prej 48 orësh.

“Pas një hetimi rreth njëzetditorë, grupi hetimor nga Hetimet Rajonale në Prizren kanë arritur që t’i bien në gjurmë një grabitësi të maskuar i cili  nën kanosje me kallashnikov, me datën 06 mars, në orët e pasdites kishte kryer një grabitje në pompën e karburanteve “Lindi Petrol” në Grykë të Carralevës”.

“Sipas raporteve hetimore nga vendi i ngjarjes thuhet se i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri tri herë, por për fat ishin shkaktuar vetëm dëme materiale por nuk ishte lënduar askush”.

“Më pas viktima kishte qenë i shtrënguar që t’ia dorëzojë rreth 600 euro para në dorë grabitësit i cili ishte larguar duke u futur në pyll. Për dokumentimin e rastit, policia ka gjetur prova të mjaftueshme që të dyshuarin Azem B. ta arrestojë ndërsa prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimin për ndalim për 48 orë”.

“Provat materiale dhe shkresat e lëndës i kanë kaluar prokurorisë së shtetit për procedurë të mëtejme”.