Arrestohet edhe i dyshuari i dytë për vrasjen e 23 vjeçarit në Mitrovicë, dy të tjerë në arrati
Policia e Kosovës, saktësisht Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dy ditë më parë kanë arrestuar edhe një person tjetër që dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e 23 vjeçarit në Mitrovicë ditë më parë.
Lajme
Sipas policisë së Kosovës, bëhet fjalë për B.H, 24 vjeçar i cili dyshohet për përfshierje në veprën penale “Vrasje e rëndë”, shkruan lajmi.net.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, dy ditë më parë kanë arrestuar personin e dytë të dyshuar B. H., 24 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, për përfshirje në veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.”, thotë policia e Kosovës.
Identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit ka të bëjë me vrasjen e 12 shkurtit që tronditi Mitrovicën ku si pasojë e të shtënave me armë mbeti i vdekur M.K 23 vjeçar dhe dy persona të tjerë të plagosur.
“Identifikimi dhe arrestimi të dyshuarit është bërë mbi dyshimet e bazuara për përfshirje në veprën penale “Vrasje e rëndë” e ndodhur me datën 12 shkurt 2021 në Mitrovicë, ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit ka vdekur viktima M. K., 23 vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.”, vijon raporti i Policisë.
Policia e Kosovës si provë materiale kanë sekuestruar në vendin e lokalizimit të të dyshuarit edhe një pistoletë që dyshohet të jetë përdorur në krimin në fjalë.
“Gjatë ditës së sotme në cilësi të provës materiale, në lidhshmëri me të dyshuarin është lokalizuar vendi ku i dyshuari kishte fshehur armën, me ç’rast nga ana e hetuesve policorë është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit ‘pistoletë’ e cila dyshohet të jetë përdorur në veprën penale.”, thuhet në raportin e policisë.
Policia e Kosovës ka bërë hetime dhe bastisje në lokacione të ndryshme derisa për hetuesit e policisë është i njohur identiteti i dy personave të dyshuar të tjerë që mbesin në kërkim.
“Si pjesë e veprimeve hetimore deri më tani janë realizuar edhe bastisje në lokacione të ndryshme. Ndërkohë që hetuesit policorë e kanë të njohur edhe identitetin e dy personave të tjerë të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Hetimet janë duke vazhduar në drejtim të kapjes së të dyshuarve të tjerë dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.”, thotë raporti i policisë. /Lajmi.net/