Arrestohen të dyshuarit për vrasjen në Gjilan

F.Maliqi (1962) dhe R.Maliqi (1986) nga Gjilani janë arrestuar nga Polica e Kosovës si të dyshuar kryesorë për vrasjen e vëllezërve Asllan Lipovica dhe Fitim Lipovica.

Lajme

26/11/2013 11:06

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Lipovica në komunën e Gjilanit dy javë më parë.

Autoritetet e Policisë së rajonit të Gjilanit kanë njoftuar se kanë arrestuar  F.Maliqi 1962 dhe R.Maliqi 1986 si të dyshuar kryesorë për vrasje të dyfishtë dhe plagosjen e dy personave të tjerë.

Më 14 nëntor në rrugën “Avdullah Tahiri” në qytetin e Gjilanit, Asllan Lipovica i lindur më 1966 dhe Fitim Lipovica i lindur më 1979 ishin qëlluar për vdekje me armë zjarri ndërsa kishin mbetur të plagosur  Fidan Lipovica (1993) dhe Adison Lipovica (1996).

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit Ismet Hashani ka thënë se Policia ka arritur t`i arrestojë të dyshuarit pas hetimeve intensive të vazhdueshme duke ngushtuar mundësinë e shmangies së të dyshuarve.

Sipas tij personat e dyshuar janë vetëdorëzuar në stacionin policor të Gjilanit.

Hashani thotë se i dyshuari Fehmi Maliqi me vete ka sjellë edhe armën e zjarrit të tipit Walther kalibër 7.65 mm, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja e dyfishtë.

“Në vazhdim, pas ekzaminimeve teknike shtesë, intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe procedurave të tjera të nevojshme konform natyrës së veprës penale, me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarve është marrë aktvendimi mbi ndalimin policor në afat prej 48-orësh”.

Lënda e kompletuar, brenda afateve ligjore do t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Gjilan, për procedim të mëtejmë.