Arrestohen edhe dy aktivistë të VV-së

Të dielën rreth orës 23:30, janë arrestuar Frashër Krasniqi dhe Etleva Malushaj, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

04/05/2015 08:30

Këtë lajm e ka kumtuar, njëri prej aktivistëve të Vetëvendosjes në zyrën për media, Adonis Tahiri.

Ai ka thënë se Krasniqi dhe Malushaj janë arrestuar në kufi, përderisa ishin duke u kthyer nga Shqipëria.

“Rreth orës 11:30 në mbrëmje, Policia e Kosovës ka ndaluar tre aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në kufi, përderisa po ktheheshin nga Shqipëria, dy prej të cilëve i ka arrestuar: Frashër Krasniqin dhe Etleva Malushajn. Pra, ata nuk u arrestuan duke dale nga Kosova (të njëjtën ditë), por duke hyrë në Kosovë”, shkruan Tahiri në Facebook.

Sipas tij kjo sigurisht ka ndodh për shkak të pjesëmarrjes së tyre nëpër aksione e protesta të mëhershme.

“Sigurisht se kjo ka ndodh për shkak të pjesëmarrjes se tyre nëpër aksione e protesta të mëhershme”, shkruan Tahiri.

Frashër Krasniqi aktualisht mbanë postin e zëdhënësit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Javën e kaluar Policia e Kosovës arrestoi edhe sekretarin organizativ të kësaj lëvizje, Dardan Molliqaj. Ai u ndal në Aeroportin e Prishtinës, teksa ishte nisur për në Zvicër.

Molliqaj u ndal nga PK për shkak të një fletarresti të mëparshëm, për një protestë të organizuar më 2013, përmes së cilës Vetëvendosje kishte kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.