Arrestohen dy persona në Pejë dhe Istog për kultivim të marihuanës, konfiskohen rreth 20 bimë narkotike

Dy persona janë arrestuar në dy raste të ndara në Pejë dhe Istog, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike të llojit marihuanë. Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Sipas Nikçit, të dyshuarit janë ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit, ndërsa gjatë aksioneve janë zbuluar dhe…

Lajme

29/07/2026 17:48

Dy persona janë arrestuar në dy raste të ndara në Pejë dhe Istog, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike të llojit marihuanë.

Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Sipas Nikçit, të dyshuarit janë ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit, ndërsa gjatë aksioneve janë zbuluar dhe sekuestruar rreth 20 bimë narkotike të kultivuara në të dy rastet.

“Në dy raste të ndara, një në Pejë dhe një në komunën e Istogut, janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit dy persona për kultivim të bimëve narkotike të dyshuara të llojit marihuanë. Janë diku rreth 20 bimë narkotike të kultivuara në dy rastet”, deklaroi Nikçi.

Ai bëri të ditur se lidhur me këto raste do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Luftimin e Narkotikëve në Pejë.

Po ashtu, sipas Nikçit, brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të ndërmarrë edhe veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale. /Lajmi.net/