Arrestohen dy persona në Mitrovicë për shitblerje të narkotikëve, sekuestrohen kokainë, armë dhe para

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas zbatimit të masave të veçanta hetimore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me narkotikë. Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit me iniciale Q.H. dhe R.H. dyshohen se në bashkëkryerje…

Lajme

09/01/2026 20:16

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas zbatimit të masave të veçanta hetimore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me narkotikë.

Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit me iniciale Q.H. dhe R.H. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”, raporton lajmi.net

Gjatë realizimit të urdhër-kontrollit, organet e rendit kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi kokaine, armë si dhe para, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria e paligjshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë./Lajmi.net/