Arben Mustafa: Kurti i ka marrë peng institucionet, Kosova është jashtë rendit kushtetues

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit. Në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, Mustafa ka deklaruar se vendi tashmë është futur në një krizë kushtetuese dhe institucionale, duke akuzuar Kurtin se po pengon funksionimin normal të…

Lajme

28/08/2026 12:11

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.

Në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, Mustafa ka deklaruar se vendi tashmë është futur në një krizë kushtetuese dhe institucionale, duke akuzuar Kurtin se po pengon funksionimin normal të institucioneve, transmeton lajmi.net.

“Sot është dita e 20-të prej kur Kosova ka dalë jashtë rendit kushtetutës. Sot në Kosovë nuk mbizotëron rendi ligjor. Sot institucionet e Kosovës i ka marrë peng, një njeri që ka marrë votën e qytetarëve për të punuar në këtë vend, mirëpo atë votë po e shfrytëzon për të penguar funksionimin normal të institucioneve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka kërkuar që Kurti të rikthehet në Kuvend dhe të mundësohet konstituimi i tij, duke paralajmëruar se durimi i qytetarëve dhe opozitës nuk do të zgjasë pafundësisht.

“Ne çdo ditë jemi edhe para ndërtesës së Qeverisë për t’i kërkuar kthimin në Kuvend dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Po bëjmë aktivitete në mënyrë paqësore, në mënyrë të qetë për t’i përcjellë mesazhin e qartë”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Mustafa e ka cilësuar si pozitive praninë e përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së në sallën e Kuvendit, duke thënë se kriza institucionale tashmë ka marrë vëmendje edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Në seancë kishim prezentë përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe Zyrës së BE-së në Kosovë. Është një lajm i mirë, sepse alarmi për krizën kushtetuese dhe institucionale ka arritur të ngjallë vëmendjen më konkrete edhe të ambasadës amerikane, edhe të Zyrës së BE-së. Shteti i Kosovës është një investim i përbashkët i qytetarëve të Kosovës dhe i aleatëve tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Mustafa./lajmi.net/