Arabia Saudite refuzon ulësen në KS OKB

Mbretëria saudite bëri të ditur se këshilli është i paaftë për ta mbajtur paqen në arenën ndërkombëtare, sidomos çështjen palestineze dhe shpërndarjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Bota

18/10/2013 12:37

Arabia Saudite, në një shfaqje të paprecedent të mllefit për shkak të dështimit të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Siri dhe për të vepruar në çështjet që kanë të bëjnë me Lindjen e Mesme, nuk do ta marrë ulësen në Këshillin e Sigurimit, si anëtare e përkohshme.

Mbretëria bëri të ditur se këshilli është i paaftë për ta mbajtur paqen në arenën ndërkombëtare.

“Duke pasur kauzën palestineze e cila mbetet pa një zgjidhje permanente tash e 65 vjet, gjë që rezultoi me shumë luftëra që kërcënuan paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, kjo është dëshmia e paaftësisë së Këshillit të Sigurimit për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e veta”, ka thënë Ministria e Punëve të jashtme e Arabisë Saudite.

Mbretëria gjithashtu fajësoi Këshillin e Sigurimit për pamundësinë e parandalimit të shpërndarjes së armëve të shkatërrimit në masë në rajon- sidomos armët nukleare, një aluzion të cilin me sa duket Arabia Saudite e bën për fqinjin e vet Iranin.

Arabia Saudite mbështetë rebelët sirianë dhe evokon rrëzimin e liderit autokrat të Sirisë Bashar al- Assad.

Arabia Saudite është votuar mbrëmë si anëtare e re e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB’së krahas Lituanisë, Nigerisë, Kilit dhe Çadit.