Apple, Sony e Samsung akuzohen për shfrytëzimin e fëmijëve

Kompanitë gjigande të prodhimit të teknologjisë, janë kritikuar nga organizata 'Amnesty International' për shfrytëzimin e fëmijëve në punë të rënda për të realizuar prodhimtarinë e tyre.

Auto & Tek

20/01/2016 18:51

Apple dhe Samsung, e po ashtu edhe Sony janë akuzuar nga Amnesty International, se kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të mos punuar me fëmijë në nxjerrjen e mineraleve që shfrytëzohen si lëndë e parë për ndërtimin e pajisjeve elektronike.

Në raportin e fundit nga grupi për të drejtat e njeriut në Amnesty International, thuhet se fëmijët e vegjël paguhen shumë pak dhe duhet të punojnë për orë të tëra, raporton Deuche Welle, transmeton Klan Kosova.

“Miliona njerëz i shijojnë përgitimet nga teknologjia, mirëpo ata rrallë pyesin se si prodhohen ato”, ka thënë Mark Dummett nga Amnesty International në një deklaratë për shtyp.

Amnesty International për vec Apple, Samsung e Sony, ka listuar edhe Microsoft, LG, Chem, Huawei, Dell, HP, ZTE, Vodafone dhe Daimles si kompanitë që marrin minerale nga minierat që punësojnë fëmijë shumë të vegjël. Apple, Samsung e Sony janë akuzuar se kanë zero tolerancë karshi politikave kundër punës eksploatuese të fëmijëve.

UNICEF deklaron se janë rreth 40 mijë fëmijë nga 7 deri në 16 vjeç që punojnë në minierat në jug të Republikës Demokratike të Kongos në kushte të tmerrshme.

Kompania e parë që ka reaguar në lidhje me raportin e “Amnesty International” ka qenë Apple.

“Ne nuk tolerojmë kurrë shfrytëzimin e minorenëve dhe jemi krenarë që jemi në ballë të luftës ndaj këtij fenomeni”, ishte deklarata e gjigantit amerikan të teknologjisë, duke publikuar edhe masat e marra prej saj nëse gjen që furnizuesi shfrytëzon minorenë për punë në miniera.

Edhe Samsung reagoi duke deklaruar se ndjek politikën e “tolerancës zero” ndaj shfrytëzimit të fëmijëve dhe për këtë ndërmerr shpesh kontrolle në zinxhirin e furnizimit.

“Nëse gjendet një rast i shfrytëzimit të fëmijëve, atëherë kontratat me furnizuesin ndërpriten menjëherë”, thotë Samsung.

Sony u mjaftua me një deklaratë ku thotë se “po punon me furnizuesit për të adresuar problematikat që lidhen me të drejtat e punëtorëve dhe shfrytëzimit të minorenëve”.