Apeli e kthen sërish në rigjykim rastin ndaj zyrtarëve të AKPPM-së të akuzuar për korrupsion

Për herën e dytë brenda më pak se gjashtë muajsh, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim, rastin ndaj zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi dhe Bersan Kolgeci, si dhe ndaj biznesmenit Edon Hajrullaga.

Lajme

30/05/2018 14:08

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt të këtij viti, Ilir Dushin dhe Bersan Kolgecin i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh për secilin.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Edon Hajrullaga ishte shpallur fajtor për veprën penale “prodhim i ndaluar” dhe është dënuar nga shkalla e parë me gjobë në lartësi prej 10.000 euro.

Ndaj këtyre dënimeve të shqiptuara nga shkalla e parë, ankesë në gjykatën e shkallës së dytë kishin paraqitur mbrojtësit e të akuzuarve, kurse prokuroria nuk është ankuar.

Mbrojtësi i Ilir Dushit, avokati Nikë Shala, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit kishte thënë se, gjykata e shkallës së parë në rigjykim, nuk ka zbatuar fare udhëzimet të cilat i kishte dhënë Apeli në aktvendimin me të cilin e kishte kthyer rastin në rigjykim.

“Në rigjykim, shkalla e parë ka përsëritur sërish gabimet e njëjta që Apeli i ka evidentuar në aktvendimin e vet, pra aktgjykimi thuajse është i përsëritur. Apeli e ka udhëzuar shkallën e parë që për këtë rast të bej edhe dy ekspertiza, një nga fusha e kimisë e tjera nga fusha e farmacisë por nuk janë bërë ato”, kishte deklaruar avokati Shala.

Shala e kishte quajtur të pakuptimtë faktin se si i mbrojturi i tij, i cili siç kishte thënë mbrojtësi, nuk e ka nënshkruar rekomandimin i cili përmendet në aktakuzë, është dënuar, kurse personi që e ka nënshkruar të njëjtin është liruar, duke aluduar kështu në Haki Ejupin i cili ishte shpall i pafajshëm pas rigjykimit.

“Mu më vjen mirë që zotëri Ejupi është liruar nga akuza, por, siç e ka thënë edhe vet zotëri Ejupi, Ilir Dushi e ka thirr në telefon dhe i ka thënë që rekomandimi nuk bën të nënshkruhet mirëpo i njëjti rekomandim është nënshkruar. Tash personi që ka thënë të mos nënshkruhet rekomandimi dhe që nuk e ka nënshkruar rekomandimin, dënohet nga gjykata. Kjo është nonsens”, kishte deklaruar Shala.

Për fund, Shala kishte theksuar se tek i mbrojturi i tij nuk ka pas kurrfarë tejkalimi të kompetencave e as përftim, kështu që, në mungesë të provave propozoi që i akuzuari Dushi të lirohet nga akuza.

Lirimin nga akuza për të mbrojturin e tij, Bersan Kolgeci, e kishte kërkuar edhe avokati Muhamet Shala.

Sipas Shalës, tek i mbrojturi i tij nuk përmbushen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas tij, tejkalimi i kompetencave dhe keqpërdorim i tyre mund të bëhet vetëm nga zyrtarë që kanë pasur kompetenca të caktuara në lidhje me rastin, mirëpo, sipas Shalës, një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodhë nga i mbrojturi i tij pasi i njëjti ka pas kompetencë vetëm që të jep udhëzime dhe rekomandime.

Edhe avokati Muhamet Shala, e kishte potencuar faktin se shkalla e parë nuk i është përmbajtur udhëzimeve të dhëna nga Apeli kur rasti është kthyer në rigjykim, pasi e njëjta nuk ka kryer ekspertizat për të cilat ishte udhëzuar nga Apeli.

Mos përmbushjen e elementeve të veprës penale për të mbrojturin e tij dhe mos zbatimin e udhëzimeve të Apelit nga shkalla e parë, i ka cekur në ankesën e tij, edhe avokati Skënder Musa, i cili në këtë çështje përfaqëson të akuzuarin Edon Hajrullaga.

Sipas ankesës së avokatit Musa, i mbrojturi i tij ka pas leje për prodhim, mirëpo në ndërkohë i është kërkuar që të plotësohet edhe një kusht tjetër e të cilin i akuzuari Hajrullaga nuk e kishte pasur, mirëpo sipas Musës, një gjë e tillë nuk nënkupton se nuk ka pas leje për prodhim i mbrojturi i tij.

Prandaj, mbrojtja e Hajrullagës i ka propozuar kolegjit të Apelit, që në mungesë të provave të lirojë nga akuza të njëjtin.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 qershor të vitit të kalaur, Ilir Dushin dhe Bersan Kolgecin, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim, ndërsa Haki Ejupin, për veprën e njëjtë i kishte shqiptuar dënim prej 5 muaj burg.

Të akuzuarit të katërt në këtë rast, pronarit të kompanisë “Prima Pharm”, Edon Hajrullaga i ishte shqiptuar dënimi me gjobë prej 10.000 euro.

Mirëpo aktgjykimin e shkallës së parë e kishte anuluar Gjykata e Apelit e cila në dhjetor të vitit të kaluar e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas vlerësimit të Apelit në atë kohë, arsyet e paraqitura në  aktgjykimin e shkallë së parë janë kontradiktore lidhur me faktet vendimtare.

Po ashtu, sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë, ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale andaj gjykata themelore duhet ti evitojë këto shkelje në rigjykim.

Ky gjykim ishte zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e krye shefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.

Këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale. Kështu këtij subjekti, i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm” ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).