Apel myslimanëve shqiptarë!
Të vetmet që më mposhtin në debatet fetare janë fjalët e veprimet e atyre besimtarëve e myslimanëve që shajnë, fyejnë, përçmojnë, përbuzin e kërcënojnë të tjerët.
Opinion
Shkruan: Jusuf Thaçi
Këto kurrë nuk kam mundur t’i argumentoj e t’i mbroj në debatet e mia me kundërshtarët, as që jam munduar ndonjëherë, as që do të mundohem ndonjëherë, sepse thjesht nuk më lejohet ta bëj një gjë të tillë. Zoti e di që unë nuk jam fajtor për këtë!
Të dashur myslimanë shqiptarë,
Unë besoj në Zot dhe pakufijshmërinë e Tij dhe jam i vetëdijshëm për madhështinë e universit e për pashtershmërinë e dijes njerëzore. Rrjedhimisht, jam shumë i vetëdijshëm që jam veç një i vdekshëm i përkohshëm, një i vogël sa hiçi e një injorant sa gjithë të tjerët. Nuk jam as i thirrur e as i caktuar t’ju mbaj leksion. E megjithatë e kam të drejtën t’ju drejtohem me disa mesazhe e lutje, siç e keni dhe ju të drejtën tuaj t’i dëgjoni ose t’i injoroni këto mesazhe e lutje të miat, t’i pranoni a t’i kundërshtoni. Qofshin të shenjta këto të drejta tona! Në qofsha gabim pa qëllim, Zoti më faltë! Në qofsha gabim më qëllim, Zoti më dënoftë! Në mos u pajtoftë dikush më i ditur, le t’i korrigjojë! Në mos u pajtoftë dikush më i paditur, le të heshtë!
- Besimi nuk është çështje e përbotshme, tokësore, është hyjnore. I tëri varet nga përcaktimi e udhëzimi i Zotit. Andaj, secili besimtar informon e bën ftesë për besim për cilëndo qenie njerëzore, por përtej kësaj tejkalohet kompetenca që Zoti i ka dhënë njeriut mbi njeriun. As lufta, as dhuna, as kërcënimi, as përçmimi, as fyerja e as sharja nuk janë të lejuara nga Zoti dhe nuk janë të duhura praktikisht për të thirrur njerëzit në besim. Mos harroni se Zoti ua ka ndaluar t’i shani edhe idhujt e idhujtarëve, sepse kjo mund të ndikojë që njerëzit të mos e pranojnë, të largohen, ta urrejnë a ta luftojnë besimin në të cilin ju i ftoni. Kush i beson urtësisë së Zotit e zbaton urtësinë të Tij.
- Feja, në këtë rast Islami, është çështje individuale dhe liri personale e secilës qenie njerëzore. Asgjë që është kundër vullnetit të individit nuk llogaritet nga Zoti. Edhe sikur të kishit fuqinë që t’i detyroni të gjithë njerëzit e botës që kundër vullnetit të tyre t’i bien Zotit në sexhde, as ju e as ata nuk do të kishit kurrfarë shpërblimi te Zoti. Prandaj Zoti e ka ndaluar dhunën detyrimin në fe. Gjithë çfarë ka obligim myslimani i devotshëm ndaj pasuesit të fesë tjetër apo ndaj besimtarit mysliman që nuk e praktikon fenë është këshillimi me urtësi e mirësi. Mos harroni që nëse dikush fillon ta urrejë e ta luftojë Zotin, besimin e fenë për shkak të sjelljes tuaj ndaj tyre, për këtë jeni përgjegjës e fajtor, siç jeni përgjegjës e meritor edhe për të kundërtën.
- Islami është fe për të gjithë njerëzit, popujt e kohërat. Aq sa u përket arabëve e turqve, po aq na përket edhe ne shqiptarëve. Aq sa na përket ne shqiptarëve, po aq i përket edhe amerikanëve, rusëve, kinezëve e gjithë të tjerëve. Andaj, ekskluzivitetin për Islamin mos ua dedikoni as arabëve e turqve, e as mos e pretendoni për vete. Roli historik që kanë pasur individë e popujt të caktuar në historinë e Islamit nuk i bën ata as prijetarë e as pronarë të Islamit. Prijetar i Islamit është besimtari më i ditur e më i ndershëm mes myslimanëve, kushdo qoftë, kudo qoftë e kurdo qoftë. Ndërsa, pronar i Islamit është secili individ në rruzullin tokësor që e përqafon atë me vullnet të lirë e bindje të plotë.
- Mirësia e veprat e mira janë të pandashme nga besimi. Zoti në Kuran asnjëherë nuk e ka përmendur besimin (besimtarët) veçmas, por gjithmonë së bashku me veprat e mira. E pra, ta dini që veprat tuaja janë dëshmi e besimit tuaj. Andaj, keni frikë nga besimi që nuk është i përcjellur me vepra të mira. Nuk ka besim të sinqertë ai që nuk e thotë të vërtetën, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk e mbron të drejtën, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk punon ndershëm, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk ndihmon të mjerët e të dobëtit, nuk ka besim të sinqertë ai që lëndon padrejtësisht të tjerët, nuk ka besim të sinqertë ai që nuk punon për të mirën e njerëzimit.
- Myslimani është i detyruar nga Zoti që të lexojë, të studiojë e të mendojë në përgjithësi, për gjithçka. Ky detyrim vlen edhe për leximin, studimin e mendimin rreth Zotit e rreth fesë. Islami si fe nuk pranon ndërmjetësim mes njeriut dhe Zotit, prandaj secili mysliman, sipas mundësive e kapaciteteve të veta intelektuale, shpirtërore e morale duhet të lexojë, të studiojë e të mendojë rreth Zotit dhe fesë së Tij islame. Dhe për burimet e kësaj dije Zoti ka vendosur hierarki. I pari burim dhe më i pakontestueshmi është fjala e Zotit, Kurani. Asnjë mysliman me aftësi gjykimi nuk është i falur nga Zoti për mosdije nëse pason individë a grupacione të gabuara, të cilët vetëdijshëm a pavetëdijshëm, qëllimshëm a paqëllimshëm, e keqkuptojnë, e keqinterpretojnë, e keqzbatojnë apo e keqpërdorin Islamin. Kurrë mos harroni që asnjë i vdekshëm nuk mund ta ketë urtësinë e Të Pavdekshmit. E pra, kthehuni te urtësia e Zotit dhe para së gjithash mësojeni fenë nga dora e parë, nga fjala e Zotit.