Andi Lila boton librin autobiografik – e titullon “Triumf”
Ish-mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Andi Lila e ka botuar librin e tij autobiografik të titulluar “Triumf”. Lajmin e bëri të ditur vetë ai, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, transmeton lajmi.net. “TRIUMF – sot nuk kam fjalë ta përshkruaj atë që ndiej. Gjithë jeta ime si futbollist, karriera ime si sportist më shfaqet përpara…

Sport
Ish-mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Andi Lila e ka botuar librin e tij autobiografik të titulluar “Triumf”.
Lajmin e bëri të ditur vetë ai, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, transmeton lajmi.net.
“TRIUMF – sot nuk kam fjalë ta përshkruaj atë që ndiej. Gjithë jeta ime si futbollist, karriera ime si sportist më shfaqet përpara si në një pasqyrë. Më vijnë përpara edhe familjarët, miqtë, njerzit e afërm, më vijnë përpara edhe tifozët, zemra dhe shpirti i sportit.
Unë nuk nuk kam bërë një traktat filozofik, unë nuk kam bërë një libër artistik, as një libër sociologjie apo kulture. Unë nuk jam as shkrimtar, ndonëse më pëlqen letërsia, as teoricion, as historian. Unë kam bërë një libër, që besoj do të jetë i pari dhe i fundit i imi, si një autobiografi e imja në futboll, në jetën time profesionale. Kam dashur ta mbyll karrrierën time si futbollist pa zhurmë, pa shfaqje të mëdha në stadiume, pa ndeshje bamirësie apo spektakle madhështore. Kam dashur ta mbyll paqësisht, në një takim me ata që më kanë mbështetur. Kam dashur të bëj një libër për të treguar sfidat, luftën e madhe, punën, fitoret dhe vuajtjet, kënaqësitë dhe dhimbjet e mia, jo thjesht si një përvojë personale, por si diçka që tregon për futbollin, për kampionatin tonë, për ekipin kombëtar, për sfidat në Serie A, në kampionatin grek, etj. Ky është një libër për miqtë, të afërmit, njerzit e sportit të mund ta lexojnë si një copë historie nga futbolli, jo thjesht si një përvojë timen. Kam dashur që familjarët dhe fëmijët e mi ta kenë atë libër në duar dhe ta lexojnë si një akt përkushtimi ndaj punës, sportit dhe vendit”, shkroi ai në Instagram.
Lila pati një karrierë të begatë pasi luajti për disa skuadra në Serie A e Greqi.
Karriera e tij si lojtar profesionist u mbyll te Tirana. /Lajmi.net/