Analistët me kritika të ashpra për qeverisjen në Prishtinë
Qeverisja lokale në kryeqytet po përballet me kritika të ashpra për shkak të problemeve të thella strukturore, mungesës së harmonisë me nivelin qendror dhe efikasitetit të ulët të ndërmarrjeve publike. Analistët politikë Yll Hoxha dhe Ymer Mushkolaj kanë vënë në pah dështimet e njëpasnjëshme në menaxhimin e qytetit dhe ndikimin e tyre negativ në jetën…

Lajme
Qeverisja lokale në kryeqytet po përballet me kritika të ashpra për shkak të problemeve të thella strukturore, mungesës së harmonisë me nivelin qendror dhe efikasitetit të ulët të ndërmarrjeve publike.
Analistët politikë Yll Hoxha dhe Ymer Mushkolaj kanë vënë në pah dështimet e njëpasnjëshme në menaxhimin e qytetit dhe ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve.
Analisti Yll Hoxha theksoi se ndër vite ka munguar koordinimi mes qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, gjë që ka penguar zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit.
“Prishtina, përveç këtyre ngatërresave politike, nuk ka asnjë moment qeverisje ku qeverisja lokale dhe qeverisja qendrore janë në një harmoni. Kryesisht kanë qenë në disharmoni, përjashto Ramush Haradinajn si kryeministër kur është aprovuar ligji për kryeqytetin,” tha Hoxha.
Ai kujtoi edhe periudhën kur kryeqyteti ka funksionuar pa shumicë në Kuvendin Komunal, gjë që sipas tij ka krijuar një precedent të rrezikshëm që tashmë është kthyer në normë.
“Kryetari ka udhëhequr pa Asamble. Kjo ka ndodhur për herë të parë me Shpend Ahmetin, në kohën kur kam qenë edhe unë në Asamble. Mendoj që është shndërruar tash në njëfarë normaliteti, i cili e ngatërron Prishtinën edhe më tutje.”
Hoxha kritikoi gjithashtu kontrollin politik të ndërmarrjeve publike dhe mungesën e menaxhimit lokal të shërbimeve bazike si furnizimi me ujë dhe pastrimi i qytetit.
“Nuk është normale që furnizimi me ujë dhe pastrimi i qytetit të mos menaxhohen nga vet Prishtina. Ato kontrollohen nga ndërmarrje rajonale të cilat janë edhe në duar të disa komunave tjera, ndonëse faturat i paguan qytetari i Prishtinës.”
Nga ana tjetër, analisti Ymer Mushkolaj shprehu zhgënjimin e tij me performancën e qeverisjes katërvjeçare, duke theksuar se qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe dhe projektet që nuk realizohen.
“Jemi ngopë me projekte megalomane që duken mirë në dizajne, që duken mirë në fotografi. Jemi ngopë, sinqerisht,” tha Mushkolaj.
Sipas tij, mandati i fundit ka qenë i dobët në përmbushjen e zotimeve, ndërsa diskursi publik po mbulohet me justifikime politike.
“Për besë është zhgënjyese çka është arritë, ose çka është dashtë me u arritë e nuk është arritë. Tash prapë kthehemi te ai polarizimi politik: ‘jo punë kam dashtë, po s’më kanë lanë’, ‘jo na s’e kemi pengu, po ky s’ka punu’. Njëfarë ping-pongu, ku viktimë është qytetari i Prishtinës.”
Të dy analistët kërkuan më shumë përgjegjësi, transparencë dhe një qasje të re në administrimin e kryeqytetit, duke theksuar se qytetarët nuk mund të jenë më peng i konflikteve politike.