“American Life” vjen edhe në Kosovë

Një ekspozitë prej 70 fotografish të një koleksioni nga biblioteka e Kongresit do të shfaqet nga 23-31 tetori 2014, në Muzeun e Kosovës, në Prishtinë. Kjo ekspozitë organizohet nga Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) me përkrahje nga Këshilli Amerikan për Arsim Ndërkombëtar. 

ShowBiz

01/10/2014 15:53

Ekspozita “American Life: Wild Wild West”  me fotografi nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i atij 20, do të përfshijë imazhe të Bibliotekës së Kongresit, të papara në Kosovë më parë, nga koleksioni i shtypit dhe ai i fotografive. 

Koleksioni C.H. Grabill, për të cilin mendohet të jetë ndër më të mëdhenjtë që kanë mbijetuar nga ky fotograf i talentuar i fotove të hershme ‘western’ – prezanton imazhe të krijuara mirë, me tonin sepia, dhe përmbledhin lëvizjet e kolonive perëndimore në Dakotën jugore dhe Wyoming, si dhe dokumenton efektet e tyre në zonat e komuniteteve autoktone.

Ndërsa, koleksioni ‘Edward S. Curtis’ ofron një vështrim unik të punës së këtij artisti në kulturën autoktone.

Projekti i ekspozitës “Amercan Life” do jetë i pari i këtij lloji dhe do mundohet të krijojë një tregim dokumentar nëpërmjet fotografive artistike dhe transmetimit të historisë dhe ngjarjeve të popullit amerikan tek populli i Kosovës dhe vendet fqinje.

Duke filluar nga fundi i shekullit 19, tregimi “American Life” do ofrojë një shikim më të thellë në jetën, traditën, sfidat, sferën kulturore dhe do të demonstrojë edhe evolucionin dhe transformimin e shoqërisë, ekonomisë dhe pop kulturës.

Miriam Parel, Shefe për Strategji dhe Zhvillim brenda Këshillit Amerikan ka thënë se është e ngazëllyer që miqve kosovarë do t’u ofrojë këto pamje nga historia dhe kultura amerikane.

“Përmes KAEF-it, kemi pasur fatin të mësojmë shumë për historinë dhe traditat kosovare përderisa vazhdojmë të ndërtojmë së bashku një komunitet të vazhdueshëm; ne po ndajmë me ju të gjitha aspektet e kulturës sonë për të promovuar  mirëkuptim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”.

“American Life” pritet që edhe në të ardhmen të paraqitet me ekspozita të tjera – pas këtij edicioni special të kësaj ekspozite shitëse që do të mbahet këtë muaj në kryeqendrën e Kosovës.

Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) do jetë përfitues i shitjeve të këtij koleksioni fotografish.

Asnjëherë të ekspozuar më parë, me këto fotografi ne shitje ofrohet mundësia e vetme për t’i blerë këto imazhe historike dhe unike.