AME: Situata nga vërshimet në Kosovë është e qetë dhe e menaxhueshme

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet në nivel vendi është kryesisht e qetë, stabile dhe nën kontroll. Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente dhe ekipet në terren, niveli i ujit në lumenj ka shënuar rënie pas ndalimit të reshjeve të shiut dhe kalimit në reshje…

Lajme

09/01/2026 15:36

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet në nivel vendi është kryesisht e qetë, stabile dhe nën kontroll.

Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente dhe ekipet në terren, niveli i ujit në lumenj ka shënuar rënie pas ndalimit të reshjeve të shiut dhe kalimit në reshje bore, transmeton lajmi.net.

AME bën të ditur se në shumicën e rajoneve nuk ka pasur nevojë për intervenime emergjente.

Situata paraqitet e qetë në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit dhe Pejës, përjashtimisht rruga Junik–Jasiq, e cila vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të shembjes së dheut.

Në rajonin e Gjakovës janë raportuar bllokime lokale rrugësh, por gjendja mbetet e menaxhueshme.

Agjencia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në qarkullimin rrugor, veçanërisht në zonat malore, për shkak të reshjeve të borës dhe ngricave.

Institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë dhe po vazhdojnë monitorimin e situatës 24 orë në ditë.

Njoftimi i plotë:

PËRDITËSIM I SITUATËS NGA VËRSHIMET
📅 09 janar 2026 | Ora 12:00
📍 Niveli: Republika e Kosovës
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton opinionin publik se, sipas të dhënave të fundit të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në terren, situata e vërshimeve në nivel vendi paraqitet kryesisht e qetë, stabile dhe e menaxhueshme.
Pas ndërprerjes së reshjeve intensive të shiut dhe kalimit gradual në reshje bore, niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie, ndërsa në shumicën e rajoneve nuk është raportuar nevoja për ndërhyrje emergjente.
🔹 Gjendja sipas rajoneve (në mënyrë të përmbledhur)
• Rajoni i Prishtinës: Situata e qetë dhe stabile, pa nevojë për intervenime; monitorimi vazhdon.
• Rajoni i Prizrenit: Nuk janë raportuar intervenime apo thirrje emergjente; rrugët janë të kalueshme, me kujdes në zonat malore për shkak të ngricave.
• Rajoni i Mitrovicës: Gjendja më e qetë, pa rrezik për vërshime të reja; ekipet vazhdojnë mbështetjen për personat e evakuuar më herët.
• Rajoni i Pejës: Situatë stabile në të gjitha komunat; përjashtim mbetet rruga Junik–Jasiq, e cila vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të shembjes së dheut.
• Rajoni i Gjakovës: Rënie e nivelit të ujit në lumenj; situatë e menaxhueshme, me bllokim lokal rruge nga shembja e dheut.
• Rajoni i Gjilanit: Nuk janë raportuar vërshime; gjendja e qetë në të gjitha komunat.
⚠️ Vëmendje e veçantë
Reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona, prandaj qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët malore dhe ato dytësore.
🔴 Mesazh institucional
Institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe Qendra Operative e AME-së është e gatshme të reagojë dhe të koordinojë ndihmën sipas nevojës 24/7.
Falënderojmë secilin Zjarrfikës Shpëtues për dedikimin dhe heroizmin në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës, njësitë e Policisë së Kosovës , Forcën e Sigurisë Kosovës, Kryetarët e Komunave dhe drejtoritë, Shoqata e Kërkimit Shpëtimit të Kosovës (SHKSHK), OJQ-t dhe sektorin privat, të cilat u mobilizuan nga momentet e para në Koordinim me Agjencinë, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrin e Ministrisë Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për përkushtimin dhe mbështetjen e plotë dhe pa rezervë Agjencisë në menaxhimin e kësaj situate të shkaktuar nga të reshurat e ditëve të fundit./lajmi.net/