Ambasadorja Ziv: Irani është momente larg nga të pasurit një armë nukleare, s’kemi pasur zgjidhje tjetër përveç se të largojmë rrezikun

Konflikti mes Izraelit dhe Iranit çdo ditë e më shumë po vjen duke u tensionuar, me dy palët që po sulmojnë njëra-tjetrën. Në lidhje me konfliktin që po ndodh në Lindjen e Mesme, lajmi.net ka kontaktuar me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Ajo tha se ambasadat e izraelit nëpër botë nuk janë mbyllur…

Lajme

18/06/2025 19:33

Konflikti mes Izraelit dhe Iranit çdo ditë e më shumë po vjen duke u tensionuar, me dy palët që po sulmojnë njëra-tjetrën.

Në lidhje me konfliktin që po ndodh në Lindjen e Mesme, lajmi.net ka kontaktuar me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Ajo tha se ambasadat e izraelit nëpër botë nuk janë mbyllur por vetëm i kanë ndryshuar mënyrat e shërbimeve.

“Ambasadat e Izraelit nëpër botë nuk janë mbyllur, por kanë ndryshuar shërbimet që ofrojnë. Që nga fillimi i operacionit në Iran, ambasadat nuk po ofrojnë shërbime konsullore për publikun dhe po funksionojnë sipas udhëzimeve të emergjencës. Në Kosovë nuk ka një Ambasadë të Izraelit; shërbimet konsullore janë ofruar përmes Ambasadës në Tiranë, e cila aktualisht nuk po i ofron këto shërbime.”, tha fillimisht ajo.

Tutje, ambasadorja Ziv foli mbi konfliktin, ku tha se Irani është pasuruar me uranium për 3 bomba bërthamore në 2 muajt e fundit.

“Në vitet e fundit, regjimi radikal iranian i është përkushtuar shkatërrimit të Shtetit të Izraelit si një udhëzim i detyrueshëm. Regjimi vazhdimisht dhe publikisht ka bërë thirrje për zhdukjen e Shtetit të Izraelit.”

“Gjatë viteve, regjimi ka investuar në një ndërtim të madh ushtarak me qëllim realizimin e synimit për shkatërrimin e Izraelit. Ai ka zhvilluar një program të fshehtë për armë bërthamore, si dhe një industri të madhe të raketave balistike, duke zhvilluar kapacitetin për të goditur objektiva deri në 4,000 km larg. Raporti i fundit i IAEA-së (Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore) deklaroi disa ditë më parë se, pa asnjë dyshim, programi bërthamor iranian nuk është për qëllime paqësore. Ndërkohë që është në negociata me SHBA-në, Irani ka pasuruar uranium për 3 bomba vetëm në dy muajt e fundit dhe aktualisht ka mjaftueshëm uranium për të ndërtuar 9 bomba bërthamore.”

“Irani është vetëm pak çaste larg nga posedimi i një arme bërthamore dhe kjo na ka lënë pa zgjedhje tjetër përveçse të largojmë kërcënimin para se të jetë tepër vonë.”, përfundoi ambasadorja e Izraelit në Kosovë.

Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump i ka kërkuar Iranit dorëzim pa kushte. Po ashtu dje në mediat ndërkombëtare u raportua se ShBA po e konsideron që t’i bashkëngjitët Izraelit në ofensivën kundër Iranit.

Lideri Suprem i Iranit kërcënoi ShBA-të se do të ketë pasoja të rënda nëse i bashkëngjitet Izraelit./lajmi.net/