Ambasada identifikon tre nga viktimat në Austri- krejt çfarë dihet deri më tani ngjarja tragjike mbrëmë

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmë në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austrisë, ku si shkak humben jetën katër punëtorë dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë. Nga ky aksident është tronditur edhe Kosova. Kjo pasi Ambasada e Kosovës në Vjenë konfirmoi se tri nga katër viktimat e këtij aksidentit tragjik janë shtetas të…

Lajme

18/03/2026 09:22

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmë në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austrisë, ku si shkak humben jetën katër punëtorë dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë. Nga ky aksident është tronditur edhe Kosova. Kjo pasi Ambasada e Kosovës në Vjenë konfirmoi se tri nga katër viktimat e këtij aksidentit tragjik janë shtetas të Kosovës.

Kjo ngjarje e rëndë që ndodhi të martën pasdite në Alsergrund, nga dëshmitarët u përshkrua si një skenë nga një filmi katastrofash.

Sipas raportimeve nga gazeta austriake “Krone“, aksidenti fatal ndodhi pak pas orës 14:00 në oborrin e brendshëm të një pallati banimi në rrugën Porzellangasse. Gjatë punimeve për betonimin e një papafingoje, struktura dhe skela mbajtëse dështuan papritur, duke u shembur pikërisht në momentin kur pesë punëtorë ndodheshin mbi të.

Pas ngjarjes zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer, shpjegoi se struktura e sapobetonuar u rrëzua papritur, duke i tërhequr punëtorët në thellësi dhe duke i zënë ata nën tonelata beton dhe materiale ndërtimi.

Kurse, dëshmitarët okularë përshkruan për gazetën sekonda dramatike në vendngjarje.

“Ishte një zhurmë jashtëzakonisht e madhe, pastaj dëgjova vetëm se si punëtorët po bërtisnin me të madhe. Më pas filluan edhe sirenat,“ tregoi një banor i zonës.

Ndërsa disa orë pas ngjarjes së rëndë, ambasada e Kosovës në Vjenë ka konfirmuar se tre nga viktimat që kanë gjetur vdekjen në këtë aksident janë nga Kosova.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ju informon se sipas konfirmimeve të fundit edhe viktima e tretë nga katër viktimat e këtij aksidenti tragjik është shtetas i Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për qytetarin: Istref Zekaj Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse”, është thënë në njoftimin e ambasadës, duke iu shorehur ngushëllime familjeve të viktimave.

“Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave. Do të vazhdojme të ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast”,thuhej tutje në njoftim.

Paraprakisht, ambasada kishte njoftuar se në këtë aksident kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977). Kurse në njoftimin e fundit u bë e ditur se viktima tjetër është Istref Zekaj.

Kjo ngjarje e rëndë ka prekur gjithë shqiptarët, por edhe të tjerët të cilët jetojnë në Austri dhe më gjerë./Lajmi.net/