Ambasada gjermane e shqetësuar për situatën politike: Kosovarët meritojnë politikanë që e kanë prioritet vendin- mbi politikën partiake

Qytetarët e Kosovës tash e 3 muaj iu janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur atë që do të udhëheqë shtetin dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ndonëse rezultati i zgjedhjeve është certifikuar, Kosova ende nuk e ka zgjedhur një “zot shtëpie”. E gjithë procedura ka ngecur tek konstituimi i Kuvendit të Kosovës,…

Lajme

13/05/2025 19:03

Qytetarët e Kosovës tash e 3 muaj iu janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur atë që do të udhëheqë shtetin dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ndonëse rezultati i zgjedhjeve është certifikuar, Kosova ende nuk e ka zgjedhur një “zot shtëpie”.

E gjithë procedura ka ngecur tek konstituimi i Kuvendit të Kosovës, i cili në plotë 15 seanca nuk ka arritur të konstituohet, shkruan lajmi.net.

Por, pse po ndodh kjo?

Partia e cila ka dal e para nga rezultatet e zgjedhjeve ka të drejtë të propozoj kandidatin për kryetar të Kuvendit, si hap i parë për formimin e Qeverisë, dhe ata e kanë bërë këtë. Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryekuvendare por, ajo nuk po ia arrin të mbledh më shumë se 57 vota nga kolegët e saj opozitarë, shkruan lajmi.net.

Nga opozita pas çdo seance po e përsërisin se nuk kanë votë për Albulena Haxhiun pasi sipas tyre ajo është “figurë përqarëse”, dhe se presin nga Lëvizja Vetëvendosje që ta ndërroj kandidaten për kryekuvendare, por kjo nuk po ndodh.

LVV duke u thirrur në të drejtën e tyre për të propozuar emrin për kryekuvendare, kanë “ngulur këmbë” në emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa opozita duke vazhduar të deklarohet se nuk do ta votojnë atë, së bashku e kanë bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kosova po vazhdon të mbetet me Qeveri në detyrë dhe kjo po i shqetëson ndërkombëtarët.

Ambasada gjermane në Kosovë, ka thënë për lajmi.net se kjo vonesë e shkaktuar e konstituimit të Kuvendit është shqetësim në rritje. Sipas ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, qytetarët e meritojnë sa më shpejtë të formohet Qeveria.

“Ambasadori gjerman vazhdimisht e ka përcjellë mendimin e tij për situatën aktuale. Vonesa e konstituimit të Kuvendit dhe formimi i një qeverie të qëndrueshme që të jetë në gjendje të marrë vendime, është një shqetësim në rritje. Këtë e ka thënë edhe një herë zëvendës shefi i misionit gjerman, Matthias Conrad, në takimin e tij me kryeministrin në detyrë Kurti, së bashku me anëtarët e tjerë të Quint. Qytetarët meritojnë politikanë që e kanë prioritet vendin dhe mirëqenien e tyre mbi politikën partiake. Por, ajo që ne më së shumti shohim është sjellje penguese dhe vonesa. Këto shqetësime, ambasadori dy javë më parë i ka ndarë edhe me presidenten Osmani. Shumë detyra të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare janë duke pritur”, ka thënë ambasada gjermane në një përgjigje për lajmi.net.

Ndërkombëtarët dhe shtetet e QUINT-it e kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe dje (e hënë) në takimin që kanë mbajtur me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Secili prej përfaqësuesve të këtyre ambasadave, i ka bërë me dije Albin Kurtit se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet e formuara.

A pritet të ketë zgjidhje të “ngërçit politik”? 

Sot, është mbajtur seanca e 15-të konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka ftuar partitë politike për të propozuar anëtarët e tyre për komisionin për votim të fshehtë.

Pas kësaj, Vetëvendosje hodhi në votim propozimin për komision për votim të fshehtë dhe aty morën vetëm 56 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, shkruan lajmi.net.

“Nuk kemi kuorum shihemi më 15 maj në ora 10:30”, deklaroi sot kryesuesi Dehari.

Në ditën kur do të mbahet seanca e 16-të konstituive e Kuvendit të Kosovës, pritet të mbahet edhe një takim i përbashkët i partive politike me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani i ka ftuar në takim partitë politike më datë 15 maj, dhe nga partitë opozitare iu janë përgjigjur pozitivisht ftesës, shkruan lajmi.net.

Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK kanë deklaruar për lajmi.net se do të marrin pjesë në këtë takim, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk i janë përgjigjur pozitivisht e as negativisht ftesës që kanë pranuar.

Nga Presidenca kanë deklaruar sot se të gjitha partitë politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës.

Ftesë nga Presidentja Osmani ka thënë se nuk ka pranuar kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj dhe Faton Peci nga Guxo.

“Ne ende nuk kemi marr ndonjë ftesë nga Presidentja… Nëse marr ftesë nga Presidentja, ju do ta keni një përgjigje nga unë. Ftesave të tilla ne i përgjigjemi pozitivisht”, ka thënë Limaj sot para mediave.

Ndërkaq, Faton Peci ka thënë se edhe partia e tyre do të duhej të merrnin pjesë pasi që sipas tij janë të regjistruar si parti në KQZ.

“Nuk i di këto informacione. Tash po shkoj në takim të grupit dhe ndahen informacionet. Ne nuk kemi marrë ftesë por do të duhej të merrnin ftesë. Ne jemi subjekt politik i regjistruar në KQZ, pavarësisht se nuk kemi garuar të vetëm por bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Peci.

Njohësit dhe analistët politik e kanë parë si pozitive ftesën e Osmanit për takim, duke shpresuar se kjo do të ndihmoj në zhbllokim të situatës në Kuvendin e Kosovës. /Lajmi.net/