Ambasada e SHBA-ve nuk ka lëshuar paralajmërim për sulm të mundshëm terrorist në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nuk i ka lajmëruar punëtorët e saj për një sulm të mundshëm terrorist në Kosovë. Sipas kësaj ambasade, ekziston monitorim i vazhdueshëm i kërcënimeve lokale, por në këtë kohë, nuk kanë bërë paralajmërime.

Lajme

30/11/2021 10:41

Lajmi.net merr vesh se ambasada e SHBA-ve se janë në komunikim të vazhdueshëm me policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë.

Kjo bëhet me qëllim të sigurisë së punonjësve amerikanë në Kosovë, por edhe të qytetarëve amerikanë që jetojnë në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu, lajmi.net merr vesh se ambasada e Amerikës nuk i ka paralajmëruar  qytetarët e vet për sulm të mundshëm terrorist në Kosovë dhe nuk ka plan ta bëjë këtë në këto momente.

Më tutje, lidhur me publikimet në faqen ‘Travel.state.gov’, një paralajmërim qëndron aty për tash e disa muaj, por që ka ndryshuar së fundmi dhe nuk është asgjë e rë.

Më 22 nëntor, Këshillimi i Udhëtimit kishte ndryshuar përmbajtjen nga “Mos udhëto”, në “Rikonsideroni udhëtimin”, për shkak të situatës me COVID-19 në Kosovë.

Ditët e fundit, në media është raportuar se misionet e huaja në Kosovë dhe ambasadat kanë njoftuar punonjësit e tyre për rrezikun e mundshëm të një sulmi terrorist në Kosovë nga “një ujk i vetmuar”, i cili është nën monitorimin e policisë së Kosovës.

A ekziston vërtetë rreziku i një sulmi terrorist në Kosovë?

Por në këto komunikime të cilat raportohet të jenë të brendshme të ambasadave, thuhet gjithashtu se cak i sulmeve mund të jenë Qendrat Tregtare dhe stafi i ambasadave këshillohet të shmangin frekuentimin e tyre deri më datë 30 nëntor.

Lajmi.net lidhur me këto raportime ka kontaktuar me policinë e Kosovës. Pa iu referuar direkt pyetjes konkrete lidhur me këto raportime, policia kanë thënë se: “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë.”

Gjithashtu, në këtë përgjigje të policisë së Kosovës thuhet se varësisht nga natyra e informacionit dhe të gjeturave, policia ndërmerr veprimet e saj operacionale në koordinim me organet e drejtësisë – me interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.”, thuhet në përgjigjen e policisë së Kosovës për lajmi.net.

Në anën tjetër, lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme por nuk ka arritur të kontakojë nëpërmjet telefonit. Gjithashtu, raportimet lidhur me këtë rast ende nuk janë konfirmuar direkt nga organet e rendit në Kosovë ose misionet e huaja – të cilave po iu referohen komunikimet që tashmë janë publikuar pjesërisht në media. /Lajmi.net/ 

Qytetarët tregojnë a ndihen të rrezikuar nga sulmet e mundshme terroriste në Kosovë