Ambasada e Britanisë: Sundimi i ligjit është tipari kryesor i demokracisë së Kosovë, të veprohet në përputhje me Kushtetutën

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar lidhur me shpërfilljen që kryeministri i Kosovës dhe kreu i VV-së, Albin Kurti, po ia bënë sistemit të drejtësisë në vend, duke mos iu përgjigjur as thirrjes së Prokurorisë Speciale e as urdhrit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur para hetuesisë për rastin e…

Lajme

05/03/2025 20:53

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar lidhur me shpërfilljen që kryeministri i Kosovës dhe kreu i VV-së, Albin Kurti, po ia bënë sistemit të drejtësisë në vend, duke mos iu përgjigjur as thirrjes së Prokurorisë Speciale e as urdhrit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur para hetuesisë për rastin e rezervave shtetërore.

Lidhur me mosbindjen e Kurtit ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës, sot kanë folur edhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se respekti për sundimin e ligjit është tipar kryesor i demokracisë së Kosovës.

“Respekti për sundimin e ligjit është një tipar kryesor i demokracisë së Kosovës. Ne kërkojmë nga ata që janë të përfshirë në këtë rast që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në respekt të proceseve ligjore dhe të punojnë në atë që është interesi më i mirë i Kosovës”, thanë nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar për Expressin.

Sot gjithashtu ka folur edhe zëdhënsja e Zyrës së BE-së, Ioanna Lachana, ku tha se se pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë është gurthemel për një shtet ligjor dhe duhet respektuar.

Zyra e BE-së tha se gjyqësori dhe prokuroria mund të jenë subjekt i debatit publik e politik, por thonë se kritikat duhet të jenë të balancuara, gjithmonë me synimin e përmirësimit të sistemit.

“Pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë është gur themeli i shtetit ligjor dhe duhet respektuar në çdo kohë. Gjyqësori dhe prokuroria në një sistem demokratik mund të jenë subjekt i shqyrtimit publik dhe debatit politik. Përderisa ka arsye për të diskutuar përmirësimet në sistemin e drejtësisë në Kosovë, të gjitha kritikat duhet të jenë të balancuara, duke synuar promovimin e llogaridhënies, integritetit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Lachana./Lajmi.net/