Amaneti në vend

Artistja e Madhe Shqiptare, Vaçe Zela, kishte lënë amanet që para se të vdiste të kthehej në Kosovë. Kjo dëshirë iu përmbush, pasi që trupi i saj i pajetë erdhi në Aeroportin e Prishtinës. Nexhmije Pagarusha thotë se kurrë s’ka parë dikë të shkëlqejë si Vaçja.

ShowBiz

07/02/2014 19:50

Amaneti i ikonës së këngës shqipe, Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë të enjten në Bazel,  u çua në vend. Trupi i saj i pajetë erdhi të premten në Kosovë dhe më pas u përcoll për në Shqipëri – ku do të prehet përjetësisht.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, bashkëshorti i të ndjerës, Pjetër Rodiqi, së bashku me të bijën Irma si dhe me Ambasadorin Shqiptar, Islam Lauka, pranuan ngushëllimet e personaliteteve të artit, kulturës e politikës kosovare.

Njëra ndër shoqet e të ndjerës,  Nexhmije Pagarusha, tha se nuk ka parë asnjëherë që ndonjë këngëtar të shkëlqejë si ajo në skenë.

“Në Shqipëri kur kam qenë në vitin 1971 e kam parë në skenë. Nuk më ka ndodhur kurrë në jetë që dikush të shkëlqejë si ajo”.

Bashkëshorti i Vaçe Zelës, Pjetër Rodiqi, tha se ka qenë dëshira e kamotshme e këngëtares që të vijë në Kosovë. Ai tha se ajo e kishte menduar që të vizitonte Kosovën pas çlirimit.

“Dëshira e saj nuk ka ndryshuar asnjëherë, për të ardhur sërish në Kosovë pas çlirimit. Vaçja ka qenë këtu një herë në kohën e Serbisë ku ka dhënë një koncert”.