Alternativa: Po na mohohet financimi publik dhe e drejta për shqyrtim juridik
Subjekti politik Alternativa ka reaguar publikisht ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e përfshirë këtë parti në ndarjen e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike. Në reagimin e saj, Alternativa shpreh shqetësim dhe indinjatë të thellë, duke theksuar se përveç vendimit të KQZ-së, edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe…
Lajme
Subjekti politik Alternativa ka reaguar publikisht ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e përfshirë këtë parti në ndarjen e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike.
Në reagimin e saj, Alternativa shpreh shqetësim dhe indinjatë të thellë, duke theksuar se përveç vendimit të KQZ-së, edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme kanë refuzuar të trajtojnë përmbajtjen e vendimit, gjë që sipas tyre u ka mohuar të drejtën për një shqyrtim efektiv juridik, raporton lajmi.net
Sipas Alternativës, vendimi i KQZ-së bie ndesh me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe rrezikon funksionimin normal të këtij subjekti politik, duke cenuar gjithashtu parimin e pluralizmit politik.
Postimi i plotë:
REAGIM Publik nga ALTERNATIVA:
Subjekti politik “Alternativa” shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për faktin se, përveç vendimit të KQZ-së për mos përfshirjen në caktimin e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, edhe PZAP dhe Gjykata Supreme kanë refuzuar të trajtojnë përmbajtjen e vendimit, duke i mohuar subjektit tonë të drejtën për shqyrtim efektiv juridik dhe duke cenuar parimet e barazisë dhe ligjshmërisë.
Vendimi i KQZ-së për të mos përfshirë Alternativën në ndarjen e fondeve bie ndesh me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe njëkohësisht rrezikon funksionimin normal të subjektit tonë politik, duke cenuar edhe parimin e pluralizmit politik.
Kujtojmë se Alternativa, si partnere zyrtare në koalicion me subjektet politike Lëvizja VETËVENDOSJE, Lista Guxo dhe PSHDK, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 ka fituar një ulëse në Kuvendin e Republikës, rezultat i cili është certifikuar nga KQZ.
Arsyetimi se deputetja e zgjedhur e Alternativës është emëruar ministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye subjekti ynë nuk konsiderohet parti parlamentare është në kundërshtim me ligjin, pasi mandati rrjedh nga rezultati i certifikuar zgjedhor dhe i jep Alternativës statusin e subjektit politik me përfaqësim në Kuvend.
Një praktikë e tillë nuk është aplikuar më parë nga KQZ-ja dhe përbën precedent të rrezikshëm, pasi ndarja e fondeve po bëhet jo sipas rezultatit të certifikuar zgjedhor, por në bazë të përfaqësimit pas votimit të Qeverisë.
Mohimi i financimit publik në kundërshtim me rezultatin zgjedhor cenon barazinë ndërmjet subjekteve politike dhe rrezikon funksionimin e rregullt të partisë sonë në jetën demokratike të vendit.
Alternativa mbetet e përkushtuar që për këtë çështje të kërkojë mbrojtje juridike përmes të gjitha mjeteve të parapara me ligj./Lajmi.net/