Ali Ahmeti takon presidenten Osmani: Kosova t’i krijojë shpejt institucionet – shqiptarët në RMV po përballen me ofensivë të rrezikshme nga pushteti
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti është takuar sot me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ahmeti dhe Osmani kanë diskutuar për zhvillimet politike në vendet tona, sfidat rajonale dhe rëndësinë jetike të bashkëpunimit të ngushtë në funksion të paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik. “Shpreha mirënjohjen time për mikpritjen e…

Lajme
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti është takuar sot me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ahmeti dhe Osmani kanë diskutuar për zhvillimet politike në vendet tona, sfidat rajonale dhe rëndësinë jetike të bashkëpunimit të ngushtë në funksion të paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik.
“Shpreha mirënjohjen time për mikpritjen e Presidentes Osmani dhe vlerësova lart rolin e saj udhëheqës në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Njëkohësisht, shpreh mbështetjen për procesin zgjedhor dhe krijimin sa më të shpejtë të institucioneve në shërbim të qytetarëve. Në këtë kontekst, nënvizova shqetësimin tim të thellë për përkeqësimin serioz të situatës politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë vënë në shënjestër nga një bosht hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike dhe me një përfaqësim të inxhinieruar politik. Shqiptarët sot po përballen me një ofensivë të rrezikshme që ka për synim zhbërjen e shtyllave të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit”, ka shkruar Ahmeti pas takimit me Osmanin.
Ai më tej ka thënë se “Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një instrument partiak, që po anulon themelet e barazisë – si përdorimi i gjuhës shqipe dhe mekanizmat mbrojtës si balancuesi dhe badenteri”.
Ahmeti tha se kjo përbën një shkelje flagrante të barazisë ndëretnike dhe rrezikon themelet e bashkëjetesës që kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë.
“Gjithashtu, theksova se dosja evropiane është lënë pas dore, duke devijuar nga rruga e integrimit dhe vlerave të përbashkëta. Për herë të parë, ide të rrezikshme që vënë në pikëpyetje karakterin shumetnik dhe unitar të shtetit, ashtu siç parashihet në Marrëveshjen e Ohrit, po gjejnë vend në diskursin politik publik”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë vigjilencë, unitet dhe veprim të koordinuar për të mbrojtur të arriturat tona historike dhe për të garantuar të ardhmen evropiane të qytetarëve tanë.
Ahmeti ishte bashkë me ish-ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani kur vizituan zyrën e presidencës në Prishtinë.