Albulena Haxhiu “e padëshiruar” për kryekuvendare – PDK, LDK e AAK të palëkundura edhe për seancën e nesërme konstituive
A do të jetë 23 prilli tentativa e fundit që deputetët e Kuvendit do të mblidhen për të arritur një marrëveshje që çon në formimin e institucioneve të reja? Tani kur po bëhen gati tre muaj që nga data e zgjedhjeve- Kosova po vazhdon të jetë me drejtues në detyrë, e institucione ende të paformuara.…

Lajme
A do të jetë 23 prilli tentativa e fundit që deputetët e Kuvendit do të mblidhen për të arritur një marrëveshje që çon në formimin e institucioneve të reja?
Tani kur po bëhen gati tre muaj që nga data e zgjedhjeve- Kosova po vazhdon të jetë me drejtues në detyrë, e institucione ende të paformuara.
Partia më e madhe në vend që doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar tri herë radhazi me kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
E propozuara e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u shpallur e kryekuvendare dhe për këtë seanca e Kuvendit u ndërpre për t’u vazhduar sërish në afate 48 orëshe.
Ndonëse u refuzuan dy herë, pasi kandidatja e tyre nuk arriti 61 vota, VV parashihet se do të qëndrojë deri në fund me propozimin fillestar.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, Albulena Haxhiu mori 57 vota për Kryetare të Kuvendit të Kosovës, 48 nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.
Lajmi.net ka kontaktuar me deputetë të partive në opozitë për të kuptuar se a ka ndryshuar qëndrimi i tyre në lidhje me votën “për”, kundër apo abstenim për Haxhiu.
PDK la një pikëpyetje të vogël, e LDK dhe AAK vazhduan me qëndrimet e tyre të palëkundura.
Partia Demokratike e Kosovës, në tri tentimet e VV-së treguan se janë kundër duke mos votuar fare, madje në një konferencë për media pas dështimit të partisë së parë për zgjedhjen e Haxhiut në krye të Kuvendit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se partia e udhëhequr nga ai nuk ka votë për asnjë kandidat që propozon VV-ja.
Përpos kësaj, Krasniqi ishte deklaruar edhe pro mundësisë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje duke e përmendur 15 qershorin si datë të mundshme.
Në lidhje me situatën e krijuar deputeti i zgjedhur nga radhët e PDK-së, Nait Hasani tha se po presin për marrëveshjen politike të thirrur nga Konjufca dhe se sipas saj edhe do të votojnë.
“Dje Konjufca ka kërkuar marrëveshje politike, tash po presim nga kjo marrëveshje – nëse arrihet dhe sipas marrëveshjes votojmë”, tha për lajmi.net deputeti i zgjedhur i PDK-së, Nait Hasani.
E nga Lidhja Demokratike e Kosovës duket sikur i kanë vendosur një gur të fortë përpara Vetëvendosjes duke e pamundësuar kështu çfarëdo komunikimi apo bashkëpunimi me ta. Ngjashëm i kanë edhe deklarimet deputetët sikurse kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.
Deputetja, Doarsa Kica Xhelili i tha lajmi.net se LDK do të mbajë qëndrim të njëjtë edhe në seancën e nesërme, pasi propozimi mbetet i njëjtë.
“Nuk kemi arsye të ndryshojmë qëndrimin përderisa propozimi mbetet i njëjtë”, tha Kica Xhelili.
Time Kadrijaj deputetja e AAK-së ka thënë se qëndrimet janë të njëjta dhe nuk ka ndryshuar asgjë.
“Jo nuk do të ketë ndryshim”, tha ajo shkurt për lajmi.net.
Haradinaj para mediave ishte shprehur se AAK do ta votojë propozimin e VV-se për kryeparlamentar nëse kandidate do të ishte Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi.
“Nëse do të ishin kandidate për kryetare të Kuvendit Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi i votojmë si AAK”, kishte thënë Haradinaj.
Së fundi pati zëra së ka diskutime në mes VV dhe Nisma-s e cila ende s’po i jep votë për kryekuvendar Vetëvendosjes.
Madje si fillim pati raportime se Kurti do e hedh në propozim emrin e Fatmir Limajt për kryeparlamentar, derisa më vonë u tha se emri i Haxhiut u vendos me qëllim pasi dihet se ajo vazhdon të mos marrë vota e kështu procesi deri tek “pazaret” e formimit të qeverisë vazhdojnë ende.
Nga Vetëvendosje deklaronin se i kanë siguruar votat për qeverinë Kurti III, por siç duket tani votat nuk i kanë siguruar si fillim as për kreun e Kuvendit të Kosovës për të vazhduar tutje me formimin e qeverisë.
Mbetet të shihet se cila do të jetë zgjidhja e kreut të VV-së Albin Kurti për të dalë nga kjo situatë bllokade e institucioneve të vendit. Kurti vazhdimisht pati deklaruar se po i pret certifikimin e rezultateve e më pas diskutimet me partitë politike.
Por ai u refuzua si fillim nga Lidhja Demokratike e Kosovës të cilës i kishte çuar edhe ftesë e ku ia mundësoi Abdixhikut disa orare për t’u takuar. Pas kësaj mbetet të shihet se si do të arrijë VV-ja t’ia sigurojë vetes votat që të vazhdojë qeverisjen disa vjeçare../Lajmi.net/