Albinizmi, regjimi i ri
Shkruan: Haxhi Raci.
Opinion
Do ta quaj “Albinizëm”, atë që po e proklamon Albin Kurti. Ka shumëçka të ngjashme me socializmin, komunizmin dhe rendet tjera që bazohen në diktat politik. Por, prapëseprapë është unik për nga forma dhe përmbajtja. Ky “regjim i ri” nuk na prezantohet në mënyrë direkte dhe transparente, për faktin se do të përballej më kritikë dhe refuzim direkt nga masa më e madhe elitare e shoqërisë. Si eksperiment i rrezikshëm do të cilësohej dhe kundërshtohej edhe nga shtetet perëndimore, që mbrojnë dhe kultivojnë më fanatizëm vlerat e demokracisë.
Albinizmi na prezantohet i kamufluar, si garë demokratike për pushtetin dhe si alternativë politike karshi partive politike, që janë konsumuar nga pushteti. Kështu në mënyrë inteligjente evitohet ballafaqimi dhe debati që duhet të ndodhë në shoqëri kur ekziston tendenca për ta ndryshuar edhe sistemin qeverisës të vendit.
Kur Albin Kurti e cilëson klasën e vjetër politike jo rastësisht si regjim i vjetër, ne duhet të jemi të vëmendshëm, sepse një politikan inteligjent asnjëherë nuk përdorë fjalë që nuk ua dinë kuptimin.
Me “regjim” nënkuptohet forma e qeverisjes, jo qeverisja si koncept politik dhe regjimet e vjetra konsiderohen të mposhtura vetëm nëpërmjet vendosjes së regjimit të ri.
Tashmë është i qartë qëllimi i Albin Kurtit për vendosjen e regjimit të ri. Këtë e ka shprehur tërthorazi nëpërmjet qëndrimeve, veprimeve dhe mosveprimeve të tij.
Në radhë të parë më sjelljen ndaj ish-partnerit qeverisës, LDK-së, duke treguar qartë se nuk e sheh si mundësi për reforma një qeverisje stabile demokratike. Qëllimi tij asnjëherë nuk ka qenë zbatimi i reformave, por vendosja e një regjimi të ri, Republika e re, e cila mund të bëhet nëpërmjet ndryshimeve radikale të rendit demokratik dhe kushtetues të vendit. Sado mediokër dhe sado radikal të jetë një lider politik, që pajtohet të veprojë dhe garojë brenda sistemit demokratik për pushtetin, ai do ta ruante më të gjitha mjetet një Qeveri stabile çfarë ishte Qeveria Kurti në koalicion më LDK-në. Përkundrazi, Kurti e përbuzi në mënyrën më të vrazhdë këtë mundësi, duke përdorë dy elemente të albinizmit, që na i servoi si parime.
“Parimi i parë” ishte kundër qëndrimeve fleksibile të LDK-së në raport më partnerët strategjikë, SHBA-në. Ai vuri elementin albinist të shtetit të dinjitetshëm në raportet ndërkombëtare dhe me partnerët strategjikë, siç është edhe SHBA-ja. Ky element që në esencë është puro populist i shërben albinizmit për ta krijuar bindjen qytetare se shteti është i tyre dhe se askush tjetër, qofshin ato edhe shtetet miqësore, nuk mund të përzihen në punët e brendshme. Kjo duket parimore nëse i shmangim rrethanat e brendshme dhe të jashtme politike, diplomatike, gjeopolitike dhe gjeostrategjike në të cilat gjendemi në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri. Ky nuk është antiamerikanizëm, siç edhe është quajtur, por albinizëm dhe do t’i shërbejë si parim bazë në raport më çdo shtet tjetër në të ardhmen.
Albinizmi si regjim i ri eksperimental do të përballej edhe më kritikën e jashtme të vendeve kryesisht mike, prandaj parimi i shtetit të dinjitetshëm do të jetë arma kryesore për t’iu kundërvënë kritikave dhe presioneve të tilla. Ky element ndikoi në shoqërinë tonë. Ndjenja që kishin qytetarët kur kritikonin diplomatët amerikanë dhe përkrahnin Kurtin në qëndrimet e tij ishte patriotike. Por, për albinizmin, ky reagim qytetar ishte një fillim i suksesshëm. Polarizimi i krijuar, pro dhe kundër kërkesave të SHBA-së, është sukses i thyerjes së një teme tabu për shoqërinë tonë. Ne e kemi konsideruar veten si shoqëria më pro-amerikane dhe askush nuk ka pasur guxim ta kontestojë këtë.
Ai jo rastësisht e kishte filluar këtë diskutim kohë më parë, sepse e ka ditur që do të vijë koha që të shpërfaqë këtë qëndrim në funksion të jetësimit të ideve të tij për regjimin e ri.
“Parimi i dytë” ishte ai i liderit që mbron qëndrimet e proklamuara. Reciprociteti, ndonëse në realitet nuk u jetësua asnjëherë, si qëndrim u mbrojt më fanatizëm për ta vënë në pah Albinin si lider të dinjitetshëm dhe të pathyeshëm në raport me interesat e shtetit. Në fakt as kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse një element puro populist i albinizmit, që i shërben për ndërtimin e kultit të individit, element ky që është karakteristikë e regjimeve ku ai është frymëzuar për “Albinizmin”, regjimin e ri.
Rezultati: Nëse deri më tani politika e jashtme është planifikuar, koordinuar dhe implementuar me rekomandimin dhe mbështetjen e sponsorizuesit kryesor të pavarësisë së Republikës së Kosovës, SHBA-së, me të cilën politikanët tanë kanë bashkëpunuar pa presion qytetar, sepse është vlerësuar pro-amerikanizmi si vlerë e shoqërisë, albinizmi njëherë e përgjithmonë ka arritur ta ndryshojë këtë raport. Edhe për një kohë të gjatë në shoqërinë tonë do të ketë polarizim mbi këtë kontekst. Politikanët dhe diplomatët tanë duhet ta marrin parasysh këtë dhe të kujdesen për opinionin kundër në shoqëri. Në anën tjetër, SHBA-ja do t’i përdorë mjetet e diplomacisë së saj duke nisur nga presioni deri te sanksionet e ndryshme për t’i arritur synimet e saj në rajonin tonë. Kostoja e këtyre pseudoparimeve të “Albinizmit” do të jetë e lartë për një shtet të vogël si Kosova, ndërkombëtarisht ende e panjohur!
“Albinizmi” nuk ekziston thjesht si qëllim. Ai po transformohet edhe në strategji politike për ta bërë të mundur ardhjen deri te përmbushja dhe jetësimi i tij. Në rastin e prishjes së koalicionit me LDK-në, kjo strategji na shfaqet më disa elemente të njohura tradicionale të strategjive politike. Për të gjithë studiuesit e shkencave politike është më së e qartë se në një proces politik fiton gjithmonë pala që ka strategji. Elementi i parë në strategjinë e Albinit në këtë rast ishte “befasia”. Pra, të sulmosh në befasi. Të sulmosh në momentin më të papërshtatshëm, tinëzisht dhe në terrenin më të ndjeshëm që faji të mbetej jetim apo mundësisht t’i vishej kundërshtarit. Dukshëm, po ashtu, u vërejt edhe elementi e dytë: “përçaj dhe sundo”. Pas këtij edhe elementi i tretë: “viktimizohu, që të përfitosh”.
Strategjia deri më tani ishte e suksesshme. LDK-ja u sulmua brutalisht në momentin më të vështirë. Duke u zënë në befasi, ajo kishte vetëm një rrugëdalje. Pra, rrugën që ndoqi dhe që ishte shumë e parashikueshme. U fajësua brutalisht se e rrëzoi Qeverinë në kohë pandemie. Reagimi i saj nuk ishte unik, sepse sulmuesi kishte parashikuar përçarjen, duke prekur direkt në plagën e hapur të lidershipit të partisë. Kundërshtimi i këtij veprimi nga figura më popullore e LDK-së, Vjosa Osmani, ia pamundësoi LDK-së edhe mundësinë për t’u arsyetuar në opinion. Kësisoj Albini ishte viktimizuar dhe do ta merrte çdo simpati të mundshme dhe të planifikuar më këtë strategji. Ndërsa, çmimin për dëmin do ta paguante viktima e vërtetë, LDK-ja. Ky dëm do të ishte edhe strategjik, sepse ishte e kuptueshme që e vetmja rrugë që i mbetej LDK-së ishte bashkëpunimi me presidentin Thaçi. Natyrisht, kjo nuk do të pëlqehej nga anëtarësia e LDK-së, pasi që Thaçi njihet si kundërshtar tradicional politik i LDK-së.
Strategjia kishte qëllim edhe përfitimin maksimal në funksion të albinizmit, duke futur kështu albinizmin drejt fazës së tij finale dhe të pakthyeshme, fitores apo humbjes, pa asnjë mes ndërmjet tyre. Prishja e koalicionit më LDK-në dhe vijat e kuqe të vendosura për PAN-in nuk lënë hapësirë për një rrugë tjetër, prandaj ishte përgatitur fushata finale: ”Qeveria e popullit me 51%”. Kjo kampanjë shpërfaqë qartë qëllimin kryesor të Kurtit, pra vendosjen e Albinizmit, si formë e re e regjimit. Veprimet tjera që pasqyrojnë albinizmin e kamufluar do t’i vërejmë në sjelljen dhe veprimet apo mosveprimet e ditëve të fundit të kësaj Qeverie në detyrë.
Spastrimet dhe kapja politike, shkarkimet arbitrare, ku bordet “pavarura” dhe të emëruarit tjerë politikë dhe jopolitikë ishin veprime në formë “milicie”, sipas diktatit politik dhe kohës së diktuar. Shembulli më eklatant është emërimi ekspertëve të “pavarur” në borde, të cilët qysh në ditët e para të punës së tyre morën vendime sipas vullnetit politik të liderit suprem, që më vonë ai doli dhe i proklamoi si suksese të tij. Ky është modeli i qeverisjes së albinizmit, regjimit të ri. Model që lë të kuptohet shumë qartë se nuk është aspak demokratik dhe nuk mund të aplikohet në një shtet demokratik.
Organizimi për sabotim dhe ushtrim presioni mbi mediat e lira janë disa forma tjera veprimi të shfaqura nga albinizmi, që dëshmojnë se kjo formë e regjimit të ri nuk ka ndjeshmëri as ndaj vlerave themelore të demokracisë.
Shkeljet recidive të Kushtetutës dhe proklamimi i hapur për mospranimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese paraqesin elemente tjera të shpërfaqura, që shumë qartë tregojnë se vlerat e regjimit të ri, albinizmit, janë pakontestueshëm në kundërshtim të plotë me vlerat e institucionalizimit në sistemet demokratike.
Lejimi i grumbullimit të qytetarëve në masë për qëllime politike dhe ndalimi i grumbullimit për çdo arsye tjetër në kohën e menaxhimit me pandeminë shpërfaqë edhe prirjen që ka albinizmi për diferencim politik të qytetarëve dhe ndjeshmërinë e ulët për të drejtat dhe barazinë e qytetarëve. Kjo formë e diferencimit politik nuk ka vend në demokracinë perëndimore.
Edhe aktet e provokimit me vlerat historike, siç ishte provokimi i Shkëlzen Gashit në cilësinë e këshilltarit të kryeministrit për UÇK-në, shpërfaqë qëllimin për zbehjen dhe eliminimin e çdo vlere të së kaluarës. Kjo është logjika e albinizmit, sipas së cilës vlerat e krijuara duhen rrënuar dhe zëvendësuar me “vlera të reja”, me ato të Albinizmit, që si çdo regjim tjetër jo demokratik ka nevojë t’i ngrehë lapidarët e tij. Historia na mëson së veti kryesore e regjimeve të bazuara në kultin e individit apo mitizimin e liderit është degradimi i vlerave historike të shoqërisë.
Shpërfaqje të tilla të Albinizmit ka shumë kohëve të fundit. Aq shumë saqë nuk e kemi as kohën dhe as durimin që t’i analizojmë si shoqëri për t’ua kuptuar simbolikat dhe pasojat e tyre.
Albinizmi tashmë ka nisur të shëtitet hapur si fantazmë rrugëve të Prishtinës dhe të na servohet si ilaç për plagët, zhgënjimet dhe pritjet tona. Por, në fakt, ai na ofron vetëm Bukë, Krip dhe Albin!
Ajo që vërehet dhe mund të argumentohet nga paraqitja, veprimet dhe mosveprimet e Albinit është e qartë: qëllimi është krijimi i një regjimi të ri, një formë të re të qeverisjes, që po rezulton të jetë në kundërshtim të plotë më vlerat demokratike dhe historike të shoqërisë sonë.
Ne mund të gabojmë në politikë apo në përzgjedhje politike dhe t’i përmirësojmë gabimet tona, sepse jetojmë në një vend demokratik. Demokracia jonë, ndonëse e re dhe me plotë defekte, është mjeti kryesor që na e mundëson të mbrohemi nga qëllimet e errëta politike. Ajo e bënë politikën të varur nga qytetari dhe kësisoj sovranitetin e bartë te qytetarët. Nuk guxojmë t’i dëmtojmë vlerat e demokracisë për asnjë çmim, sepse bashkë më të do t’i cenojmë edhe liritë themelore.
Duhet të kujtojmë se historia ka treguar që regjimet jodemokratike janë krijuar duke i përdorur mjetet demokratike. Por, këto regjime, si të tilla nuk mund të rrëzohen më mjete demokratike, sepse ato i mohojnë vlerat e demokracisë. Kësisoj ato rrënohen vetëm me kryengritje, që prodhojnë pasoja të rënda për shoqërinë!
Përfundimisht, asnjë politikan, lider partiak apo subjekt politik që vepron brenda vlerave demokratike nuk e dëmton shoqërinë dhe shtetin tonë. Përkundrazi, vetëm e pasuron demokracinë. Në këtë kontekst nuk përbën përjashtim as Albini dhe subjekti i tij politik, përderisa nuk cenojnë rendin demokratik, kushtetues dhe institucional të vendit!