Albin Kurti acaron Drenicën, momenti kur ai me zyrtarët e VV-së largohen nga Skenderaj

Kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, duket se nuk po i shkon fushata parazgjedhore edhe aq mirë, pas tensioneve në veri të Kosovës, ai nuk u prit mirë as nga qytetarët në Skenderaj.

Lajme

01/02/2021 21:56

Gjatë një tubimi që po zhvillonte sonte në këtë qytet, Albin Kurti u fishkëllua nga qytetarët atje, të cilët brohorisnin “Hashim Thaçi, Hashim Thaçi”.

Madje Kurti në Skenderaj u gjuajt edhe me vezë.

Lajmi.net ka siguruar një video të momentit kur Kurti dhe zyrtarët e tjerë të VV-së shihen duke ikur gjatë kohës që qytetarët po gjuanin me vezë në drejtim të tij.

Ndërkohë, përkundër që Kurti në veri të Kosovës kishte shkuar pa Policinë e Kosovës, ai sonte në Skenderaj u pa me Njesi Speciale.

Për këtë ka reaguar edhe dega e PDK-së në Skenderaj. Ata e kanë quajtur të papranueshme këtë veprim të kreut të VV-së.

“Dega e PDK-së në Skenderaj e konsideron të papranueshme vizitën e Albin Kurtit ne Skenderaj shoqëruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Vizitat dhe aktivitetet e Albin Kurtit në këtë formë, janë plotësisht të papranueshme, pasi te qytetarët e Skenderajt dhe Drenicës ngjallin kujtime të kohëve të errëta për Skenderajn dhe Drenicën”, thuhet një njoftimin e kësaj dege në Facebook.

Në reagim më tutje kritikohet që Kurti nuk kishte shkuar me përforcime në Veri të Mitrovicës ditë më parë, por një gjë të tillë e bëri, sipas tyre, në Skenderaj, në mënyrë që ta shfaqë si zonë me rrezikshmëri. /Lajmi.net/