Albana Shala, kryetare e Këshillit të Medias të UNESCO-s

Shqiptarja Albana Shala, e cila jeton dhe punon në Holandë, është zgjedhur kryetare e Programit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Medias të UNESCO-s – IPDC, me mandat dyvjeçar.

Lajme

25/11/2014 17:09

Si njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO në ueb faqen e vet zyrtare, Albana Shala është femra e parë në krye të IPDC-së që nga themelimi i kwtij programi në vitin 1980.

Shala, e cila u emërua në postin e ri nga Këshilli i IPDC-së, është e njohur si eksperte me përvojë 15-vjeçare në fushën e zhvillimit të medias së pavarur. Aktualisht është program-koordinatore e Free Press Unlimited, organizatë kjo holandeze e cila përkrah median e pavarur në mbi 40 vende të botës.

IPDC në vitin 1980 qe formuar si program i vetëm ndërqeveritar në kuadër të Kombeve të Bashkuara, me mandat mobilizimin e përkrahjes ndërkombëtare për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm, demokracinë dhe qeverisjen e drejtë, me anë të forcimit të kapaciteteve të medias së pavarur. Që nga krijimi, ka kanalizuar rreth 195 milionë dollarë për mbi 1,700 projekte për zhvillimin e medias në rreth 140 vende.

Albana Shala në krye të këtij Programi të KB-ve ka trashëguar Jyrki Pulkinenin nga Finlanda, në mbledhjen e mbajtur më 20 nëntor në selinë e UNESCO-s në Paris. (KosovaPress)