Alban Hysenit i duhen veç edhe 92 vota për të fituar pa balotazh
Eugen Cakolli nga Instituti i Demokratik i Kosovës (IDK) parasheh që gara në Gjilan për kryetar komune mund të përfundojë qysh në rundin e parë. Kjo pas procesimit dhe numërimit të votave nga diaspora, që sipas tij, janë rreth 3000 votues të regjistruar nga jashtë. Madje sipas tij, kryetarit aktual të Gjilanit, Alban Hysenit, i…

Lajme
Eugen Cakolli nga Instituti i Demokratik i Kosovës (IDK) parasheh që gara në Gjilan për kryetar komune mund të përfundojë qysh në rundin e parë.
Kjo pas procesimit dhe numërimit të votave nga diaspora, që sipas tij, janë rreth 3000 votues të regjistruar nga jashtë.
Madje sipas tij, kryetarit aktual të Gjilanit, Alban Hysenit, i duhen vetëm 92 vota që ta përfundojë garën qysh tani.
“Me votat që janë procesuar deri më tani, Gjilani del që është në prag të kalojë poa balotazh. Alban Hysenit i duhen vetëm 92 vota që të kalojë pa balotazh. Janë 2000 votues jashtë vendit, të regjistruar për të votuar në Gjilan. Mbetet të shihet sa është numri i tyre, por zakonisht përqindja shkon në 70-80%. Nëse veç i ndjekim trendët e zgjedhjeve deri më tani, gjasat janë që Gjilani me qenë komunë tjetër e cila përfundon pa balotazh në favor të Alban Hysenit, por që varen edhe votat me kusht, të cilat ndonëse nuk janë shumë në numër, mund të rrisin numrin e votave që janë jashtë vendit”, u shpreh ai, raporton klankosova.
Për më tepër, ai tha se votat nga diaspora zakonisht shkojnë në favor të LVV-së, siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, kur për Hysenin kishin ardhur gati 70% e tyre.
“Alban Hyseni, edhe në zgjedhjet e vitit 2021, kur kundërkandidat e ka pasur Lutfi Hazirin i cili ka qenë dukshëm më i konsoliduar si figurë publike dhe në përqindje ka qëndruar më mirë se Arbër Ismajli, ka arritur të ketë vetëm një numër krejt simbolik nga votat jashtë vendit, ndërsa LVV ka pasur gati 70% të votave të diasporës”, deklaroi Cakolli.
Megjithatë, ai thotë se që gara të shkojë në balotazh, kandidatit të LDK-së, Arbër Ismajli, i duhen mbi 50% të votave të diasporës.
Për sa i përket Junikut, Cakolli tha se atje është gara më interesante ku ¼ e votuesve të asaj komune janë nga jashtë vendit.
“Pra, 4 mijë votues janë në Junik, 1300 janë të regjistruar jashtë vendit. Diferenca mes dy kandidatëve është disa qindra vota dhe që gjasat janë reale që kjo komunë të mbyllet pa balotazh. Potencialisht mund të fitojë secili prej kandidatëve, edhe Agron Kuçi por edhe Ruzhdi Shehu ta përfundojnë pa balotazh. Por nëse u ndjekim trendët e së kaluarës, gjasat janë reale që shumica e votave të jenë për Shehun, dhe atij i mjaftojnë t’i sigurojë 55% të votave jashtë vendit”, deklaroi Cakolli.
Kështu, LDK-ja sipas tij mund ta fitojë komunën pa balotazh.