Alarm para Serbisë, Kombëtarja në telashe për Ismajlin e Shehun
E kemi provuar edhe shumë herë më parë këtë situatë. Kur vjen e keqja hapi derën, thotë shprehja popullore, dhe në kombëtaren shqiptare problemet me dëmtimet po shtohen pikërisht ndërsa afron ndeshja e Kupës së Botës në Serbi. Një ditë pasi u njoftua për shqetësime në muskujt e këmbës për Arbër Hoxhën në Kroaci, vijnë…

Sport
E kemi provuar edhe shumë herë më parë këtë situatë.
Kur vjen e keqja hapi derën, thotë shprehja popullore, dhe në kombëtaren shqiptare problemet me dëmtimet po shtohen pikërisht ndërsa afron ndeshja e Kupës së Botës në Serbi.
Një ditë pasi u njoftua për shqetësime në muskujt e këmbës për Arbër Hoxhën në Kroaci, vijnë dy lajme të tjera negative.
Së pari, Ardian Ismajli la fushën e lojës në ndeshjen e Serisë A, Parma – Torino.
Mbrojtësi kuqezi i qendrës fillimisht shkaktoi penallti, të cilën e ktheu në gol sulmuesi i Parmës, Pelegrino.
Më pas vazhdoi të luante deri afër fundit kur ndjeu probleme fizike dhe u shtri në tokë, duke kërkuar zëvendësim.
Ishin minutat e fundit dhe shqiptari doli nga loja, ndërsa pritet përfundimi i analizave mjekësore.
Problemi i dytë e ka emrin Julian Shehu.
Njëri nga lojtarët më të mirë të ekipit përfaqësues në këto eliminatore u detyrua të zëvendësohej në pushim të ndeshjes së kampionatit polak, mes ekipit të tij Vidzev Loxh dhe Rakovit të Çestohovës.
Siç shkruan faqja zyrtare e klubit në komentin e ndeshjes, trajneri Çubak bëri zëvendësim të detyrueshëm sepse Shehu ndjeu dhimbje.
Shpresohet që kjo të ketë qenë vetëm një masë parandaluese dhe të mos jetë fjala për një dëmtim të vërtetë, shkruan abcnews.
Pak ditë më parë, kombëtarja humbi edhe Marash Kumbullën, i cili u dëmtua në La Ligën e Spanjës ndërsa luan për Majorkën, dhe vështirë se mund të jetë gati për duelin në Serbi në 11 tetor.