Akuzohen për krime në Kosovë

Është ngritur aktakuzë ndaj 3 ish ushtarëve serbë, për vrasjen 46 civilëve shqiptarë të fshatit Lubeniq gjatë luftës në Kosovë. Të akuzuarit dyshohet se e kanë ekzekutuar pas koke fëmijë, gra dhe pleq, derisa ata po iknin drejt kufirit me Shqipërinë.

Lajme

22/11/2013 14:57

Gjykata për Krime Lufte në Beograd, ka ngritur aktakuzë kundër 3 pjesëtarëve të ish Ushtrisë jugosllave nga Peja, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër civilëve shqiptarë nga fshati Lubeniq më 1 prill të vitit 1999, njoftojnë mediat serbe.

Të akuzuarit Vladan Krstovic i njohur si “Xhuxha”, Lazar Pavlovic i njohur si “Lazo” dhe Milan Ivanovic i quajtur “Micko”, aktualisht janë pjesëtarë të Xhandarmërisë Serbisë.

Aktakuza thotë se këta tre të akuzuar së bashku me njësitin ushtarak 177, kanë vrarë 46 civilë në fshatin Çyshk të Pejës dhe kanë plagosur 11 të tjerë.

Këto krime janë kryer së bashku me Nenad Lekic i cili aktualisht gjendet në Suedi dhe Predrag Vukovic i cili aktualisht gjendet në arrati.

Këta ish ushtarakë serbë akuzohen për zhvendosje me forcë të grave, fëmijëve dhe pleqve shqiptarë nga ky fshat, djegien e shtëpive të tyre dhe ekzekutimin pas koke në momentin kur ata po iknin drejt kufirit me Shqipërinë.

Të dhënat që janë përdorur në këtë aktakuzë janë nxjerrë nga dy dëshmitarë të mbrojtur.