Policia e Prishtinës nis aksion të shtuar në trafik, konfiskohen tri motoçikleta dhe gjobiten 12 motoçiklistë

Policia e Rajonit të Prishtinës ka nisur zbatimin e një plani operativ për kontroll të shtuar në trafik, me fokus të veçantë te ngasësit e motoçikletave. Sipas njoftimit, plani po zbatohet nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, përkatësisht Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, dhe bazohet në vlerësimet e fundit lidhur me situatën e sigurisë…

Lajme

27/06/2026 09:11

Policia e Rajonit të Prishtinës ka nisur zbatimin e një plani operativ për kontroll të shtuar në trafik, me fokus të veçantë te ngasësit e motoçikletave.

Sipas njoftimit, plani po zbatohet nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, përkatësisht Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, dhe bazohet në vlerësimet e fundit lidhur me situatën e sigurisë në komunikacion, transmeton lajmi.net.

Operacioni ka nisur më 26 qershor dhe synon rritjen e nivelit të sigurisë rrugore, duke parandaluar shkeljet e rregullave të trafikut dhe aksidentet.

Vetëm gjatë ditës së parë të zbatimit të planit, Policia ka konfiskuar tri motoçikleta, ndërsa ka ndërmarrë masa ndaj 12 motoçiklistëve për shkelje të ndryshme.

Sipas Policisë, aksioni do të zhvillohet në të gjitha rrugët e Rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdojë deri në arritjen e rezultateve të synuara në përmirësimin e sigurisë në trafik.

Njoftimi i plotë: 

Policia e Rajonit të Prishtinës nis zbatimin e planit operativ për sigurinë në trafik, me fokus te motoçikletat
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, përkatësisht Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, duke u mbështetur në vlerësimet e fundit lidhur me situatën e sigurisë në trafik, ka filluar zbatimin e një plani operativ për kontroll të shtuar në komunikacion.
Plani ka filluar të implementohet sot 26.06.2026 dhe ka për synim rritjen e nivelit të sigurisë rrugore, me theks të veçantë ndaj ngasësve të motoçikletave.
Vetëm sot janë konfiskuar 3 motoçikleta dhe janë marrë masa ndaj 12 motoçiklistëve.
Ky operacion do të shtrihet në të gjitha rrugët e Rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdojë deri në momentin kur të vlerësohet se është arritur efekti i dëshiruar në përmirësimin e sigurisë në trafik. /lajmi.net/