“Akuzat për keqpërdorim, sekrete të shpërndara” – Reagime të ashpra ndaj ministres Hajdari pas intervistimit nga Prokuroria Speciale
Pas intervistimit nga Prokuroria Speciale lidhur me procesin e kontraktimit të rezervave shtetërore, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u përpoq të paraqesë rastin si çështje të ndjeshme të sigurisë publike dhe të trajtuar sipas ligjit për informacionin e klasifikuar. Ajo pretendoi se procesi ishte jetik dhe se dokumentet janë trajtuar…

Lajme
Pas intervistimit nga Prokuroria Speciale lidhur me procesin e kontraktimit të rezervave shtetërore, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u përpoq të paraqesë rastin si çështje të ndjeshme të sigurisë publike dhe të trajtuar sipas ligjit për informacionin e klasifikuar.
Ajo pretendoi se procesi ishte jetik dhe se dokumentet janë trajtuar si sekret shtetëror me të drejtë ligjore, në një periudhë të krizës globale të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, raporton lajmi.net
Por pas këtij deklarimi të saj, reagimet ishin të menjëhershme dhe të ashpra, me akuza që shkojnë përtej çështjes së rezervave.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ironizuar qëndrimin e Hajdarit për dokumentet e klasifikuara, duke përmendur se të njëjtat “sekrete” janë ndarë më parë nga ministrja me një qytetar të thjeshtë, pa asnjë filtër sigurie.
“Rozeta po shqetësohet pse Prokuroria paska pasur qasje në dokumente ‘sekrete’. Të jemi të qartë: bëhet fjalë për të njëjtat ‘sekrete’ që ajo i ka ndarë me Ridvanin, një qytetar që nuk ka kaluar asnjë verifikim apo filtër sigurie”, shkroi Çitaku në një postim në Facebook.
Gjithashtu, përmes një postimi në Facebook, deputeti i PDK-së, Behrami shprehet i indinjuar me, siç thotë ai, trajtimin selektiv të klasifikimit të dokumenteve, duke e konsideruar vendimin si absurd dhe të papranueshëm.
“Paramendo, kontratat korruptive – të abuzimit – i kanë klasifikuar si sekrete. Ndërsa financimin e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së e kanë deklasifikuar! Çka me ju thënë këtyre, bre?”, ka shkruar ai.
Tutje, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar me tone të ashpra ndaj asaj që e quan “ndëshkim politik” të dy hetuesve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke hetuar rastet që përfshijnë ish-ministren Rozeta Hajdari dhe ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.
“Dy hetues të Policisë që hetonin Rozeta Hajdarin e Nagip Krasniqin janë dënuar: janë larguar nga njësia kundër korrupsionit, janë degraduar, dhe njëri është transferuar fiks para se të intervistohej ish-ministrja Hajdari”, ka shkruar Kica-Xhelili në një postim në rrjete sociale.
Ajo e quan këtë veprim një “mesazh të qartë hakmarrjeje” dhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë në vend.
“Kjo nuk është rastësi. Është mesazh: e heton VV-në – të pret hakmarrja. Kur policët ndëshkohen pse hetojnë qeverinë, demokracia nuk është më funksionale. Është fasadë”, ka shkruar ajo.
Deputetja opozitare krahasoi situatën në Kosovë me modele autoritare si Hungaria, Rusia dhe Venezuela, duke paralajmëruar se tendenca për të ndëshkuar zyrtarët që hetojnë pushtetin është rrëshqitje drejt autoritarizmit.
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, reagoi gjithashtu ashpër, duke akuzuar ministren për tentim-fshehje të shkeljeve përmes keqpërdorimit të ligjit për informacionin e klasifikuar. Ai vuri në pah një mospërputhje ligjore në arsyetimin e Hajdarit.
“Ligji për të cilin ajo flet është miratuar më 9 shkurt 2023, ndërkohë që kontraktimi i rezervave është bërë në shkurt dhe mars 2022. Pra, ajo i referohet një ligji që nuk ekzistonte në kohën e veprimit”, tha Ramadani.
Nga fusha e drejtësisë, Ehat Miftaraj nga IKD, tha se “mosnjohja e ligjit nuk të amniston nga përgjegjësia penale”, duke e konsideruar të papranueshme që një ministër i një qeverie t’i japë qasje një qytetari pa asnjë autorizim në dokumente që më pas i paraqet si të klasifikuara.
“Në drejtësinë penale mos njohja e ligjit nuk të amniston nga përgjegjësia penale. Shto faktin se ministria që ajo ka udhëheq dhe qeveria i kanë dhënë qasje një qytetari (bukëpjekësi) qasje mu në këto dokumente sekrete. Kosova nuk e meriton që persona të tillë të marrin përgjegjësi të tilla politike dhe është dëshmi e gjallë se sa pak integritet kanë keto institucione”, ka thënë Miftaraj.
Ndërkohë, LVV përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook intervistimin e Hajdarit e cilësuar si arbitraritet dhe një tentativë për të montuar një aktakuzë.
“Arbitrariteti i Prokurorisë speciale dhe një tentativë për të montuar një aktakuzë”, ka shkruar VV.
“Deklarimi i ministres Rozeta Hajdari pas intervistimit në Prokurorinë Speciale: Sot isha e ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistë, për kontraktimin e rezervave shtetërore proces jetik për të gjithë ne, proces i rëndësishëm për popullatën tonë. Ministria ka bërë blerjen e rezervave shtetërore në kohën kur ishim të pambrojtur, në shkurt 2022 dhe mars 2022. Për këtë proces jetik tani pyetem nga Prokuroria Speciale, por një pyetje vjen se a është ky proces i ligjshëm dhe si prokuroria hyri në ministri për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së dhe Agjencisë për mbrojtje të klasifikuara. Ne si Ministri i kemi klasifikuar vendet sekret sipas Ligjit për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara sipas nenit të rezervave shtetërore, por në realitet Prokuroria Speciale bëri një gabim si një hap të pamenduar mirë duke dërguar dy policë hetues pa certifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në ministri. Këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor, me raportin informues që dy policët hetues shkuan në ministri pa certifikatë sigurie të nivelit sekret. Ky raport nga Inspektorati Policor, u dërgua edhe në Prokurorinë Speciale, për udhëzime dhe veprime të mëtejme ndaj këtyre dy policëve”, ka shkruar VV.
Ministrja, Hajdari është intervistuar në cilësinë e të pandehurës në hetimet për aferën e rezervave shtetërore.
Lajmin e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta.
“Znj. Rozeta Hajdari është ftuar për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Rezervat shtetërore’. Thirrja është bërë me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit”, tha ajo./Lajmi.net/