“Aktivizohen” hajnat, rriten rastet e grabitjeve e vjedhjeve ditëve të fundit

Rastet e vjedhjeve dhe grabitjeve janë rritur ditët e fundit në Kosovë. Para disa ditësh, në një tentim-grabitje në Prizren, autorët lanë të plagosur në një argjendtari dy persona, babë e djalë, ndërsa policia ka arritur t'i arrestojë të dyshuarit.

Lajme

29/11/2021 10:31

Ky është vetëm një prej rasteve të fundit të vjedhjeve dhe grabitjeve në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 4 raste të vjedhjeve në rajone të ndryshme të Kosovës.

Në Podujevë një person ka vjedhur stoli ari dhe para të gatshme në shtëpinë e një personi i cili edhe e ka lajmëruar rastin në polici.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona deri me tani të pa njohur kanë hyrë në shtëpinë dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme. Rasti është duke u hetuar.”, thotë policia.

Një person është kapur në flagrancë duke vjedhur në një shtëpi në Gjilan, ndërsa i njëjti është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti është zënë në flagrancë duke kryer vjedhje në një shtëpi. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar.”, sqaron policia.

Në Vushtrri një person ka hyrë me forcë në lokal dhe ka vjedhur 70 euro, i njëjti është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte depërtuar me forcë në një lokal dhe nga aty ka vjedhur një arkë, në të cilën kishte rreth 70 euro para të gatshme. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, thuhet në raportin e policisë.

Edhe në veri, hajnat janë aktivizuar. Atje raportohet se në një objekt fetar një person ka vjedhur 3000 dinar të Serbisë.

“Raportohet se persona të pa njohur kanë depërtuar në objektin fetar dhe kanë vjedhur një DVR të kamerave dhe rreth 3000 dinar të Serbisë, ndërsa kanë dëmtuar kabllot e rrymës që furnizojnë kamerat. Rasti është duke u hetuar.”, sqaron policia. /Lajmi.net/