Aktakuzë për korrupsion ndaj drejtorit të KEK-ut Arben Gjukaj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur një aktakuzë për korrupsion lidhur me kompaninë publike Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Lajme

16/01/2015 16:45

Në aktakuzë pretendohen vepra të ndryshme penale ndaj 7 të pandehurve, ku përfshihen – mashtrimi dhe falsifikimi i dokumenteve, në shkelje të nenit 335 pika 1 dhe 5 dhe nenit 398 pika 1 të Kodit Penal të Kosovës; shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit, në shkelje të nenit 422 të KPK-së; nxitja për shpërdorimin e pozitës zyrtare apo autoritetit, në shkelje të nenit 422 të KPK-së; dhe lidhja e kontratave të dëmshme, në shkelje të nenit 291 pika 1 dhe 2 të KPK-së. 

Vlera e dëmeve shkaktuar KEK-ut është 6.182.609,76 euro.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së.

Në njoftimin e EULEX-it nuk jepen hollësi të tjera për rastin. Por, Koha.net merr vesh se bëhet fjalë për aktakuzë ndaj drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukës, shefit të OSHP-së Hysni Hoxha, Hasan Pruthi, Lulzim Lushtaku, Esat Tahiri dhe Agron Jusufi.

“Koha Ditore” më herët kishte raportuar për dyshimet e prokurorisë se Hysni Hoxha, Arben Gjukaj dhe Hasan Pruthi i janë nënshtruar presionit të Sami Lushtakut për t’i dhënë një tender mbi gjashtë milionë euro kompanisë së nipit të tij, Lulzim Lushtaku, për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Tenderi konsiderohet i paligjshëm.

Për këtë arsye kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, dhe shefi i prokurimit në këtë kompani publike, Hasan Pruthi, janë duke u hetuar nga prokurori i EULEX-it, Cezary Michalczuk, për shpërdorim të pozitës zyrtare, shkruante “Koha Ditore”, në gusht të vitit 2013.

Në grup më ta janë duke u hetuare dhe pronarët e kompanisë “Security Code”, Lulzim Lushtaku dhe Esat Tahiri dhe partneri i tyre në këtë tender, drejtori i WDG-së, Agron Jusufi. Ata dyshohen për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim. Hetimin e ka konfirmuar kryetari i OSH-së, Hysni Hoxha dhe EULEX-i, por nuk kanë komentuar detajet e hetimit.

“Koha ditore” kishte mësuar se ky hetim që ka të bëjë më dhënien e një kontrate në vlerë 6 milionë euro për këtë konsorcium ka të bëjë me dyshimin se fituesi që ishte rreth 36 milionë më i lirë sesa ofertuesi tjetër, “Besa Security” nuk i ka plotësuar kriteret. Mirëpo, KEK-u ia ka dhen tenderin me pëlqim edhe të OSHP-së që kishte kërkuar nga KEK-u që ti jepej kontrata, nipit të Sami Lushtakut.

Në cilësinë e të dyshuarit, Hysni Hoxha është intervistuar më 13 të këtij muaji, ndërkaq Arben Gjukaj të mërkurën e kaluar. Të dy dyshohet se kanë kryer vepër penale të dënueshme deri në 8 vjet burgim.