Një muaj nga hyrja në fuqi, sigurimi i detyrueshëm shëndetësor ende në fazë fillestare

Tashmë janë bërë gati një muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Nga ministria tregojnë se zbatimi është në fazë fillestare. Megjithatë, ish-ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, është skeptik që ky ligj mund të gjej zbatim. Nga 1 qershori hyri në zbatim Ligji për Sigurimet Shëndetësore. Për këtë njoftoi vet…

Lajme

28/06/2026 09:00

Tashmë janë bërë gati një muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Nga ministria tregojnë se zbatimi është në fazë fillestare. Megjithatë, ish-ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, është skeptik që ky ligj mund të gjej zbatim.

Nga 1 qershori hyri në zbatim Ligji për Sigurimet Shëndetësore.

Për këtë njoftoi vet ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se hapi i parë në zbatimin e ligjit u bë me fillimin e procesit për themelimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

Disa javë pas, nga ministria tregojnë se procesi ndodhet akoma në fazë fillestare.

“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një ligj të ri, aktualisht ndodhemi në fazën fillestare ku prioritet është hartimi dhe miratimi i Planit të Veprimit për zbatimin e Ligjit, i cili do të përcaktojë aktivitetet konkrete, afatet, institucionet përgjegjëse dhe burimet e nevojshme për implementimin e plotë të dispozitave ligjore. Një komponent thelbësor i këtij procesi është përgatitja dhe miratimi i legjislacionit sekondar (akteve nënligjore), i cili është i domosdoshëm për operacionalizimin dhe zbatimin praktik të ligjit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, që ligji të mund të zbatohet, ish-ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, i ka dyshimet e tij.

“Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është themeluar në vitin 2014, me ligjin për sigurime shëndetësore, si Ministër i Shëndetësisë e kam sponsorizuar unë në atë kohë dhe në bazë të atij ligji është themeluar Fondi, dhe në gjitha këto vite nuk ka qene problemi tek ligji, por ka qenë problemi tek mos zbatimi”, tha Agani për Teve1.

Sipas Aganit, nevojiten ndryshime përmbajtjesore në statusin e tri institucioneve që janë të rëndësishme për implementimin e sigurimeve shëndetësore.

“Nevojitet që SHSKUK-ja të shndërrohet në një ndërmarrje publike te nivelit qendror me shkallë sa më të lartë të një autonomie menaxheriale dhe financiare që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, tek i cili duhet të rritet kapacitetet për ta shndërruar atë në blerës strategjik dhe institucioni i tretë është Sistemi i Informimit Shëndetësor i cili do të mundësoj që të regjistrohet dhe monitorohen kontrata ndërmjet fondit dhe SHSKUK-së”, u shpreh Agani.

Se zbatimit në tërësi të ligjit do t’i duhet kohë, e thotë edhe eksperti i politikave shëndetësore, Liridon Bllaca.

“Duhet me pa kush janë prijësit e këtij procesi, duhet të shikohen se cilat janë linjat buxhetore, punësimi informale të gjitha këto aktivitete duhet të bashkërenditen me njëra tjetrën në mënyrë që të fillohet implementimi i mirëfilltë i këtij ligji”, tha Bllaca.

Sipas ligjit aktual të votuar në prill të këtij viti, parashikohet që punëdhënësit dhe punëtorët të paguajnë nga 3.5 për qind të pagës bruto, pra gjithsej 7 për qind.