Ymeri publikon dokumentin për EFT-në: Kurti thoshte se duhet të marrë fund, sot është në proces të rilicencimit
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me procesin e rilicencimit të kompanisë EFT, duke publikuar një dokument për të cilin thotë se dëshmon se kompania e biznesmenit serb Vuk Hamoviq është në procedurë të rilicencimit. Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka rikujtuar një deklaratë të mëhershme…
Lajme
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me procesin e rilicencimit të kompanisë EFT, duke publikuar një dokument për të cilin thotë se dëshmon se kompania e biznesmenit serb Vuk Hamoviq është në procedurë të rilicencimit.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka rikujtuar një deklaratë të mëhershme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte thënë se “EFT-ja duhet të marrë fund” dhe se “nuk mund t’i themi vetes shqiptarë kur vazhdon të na dominojë EFT-ja”.
“Kush është tash lideri shqiptari këtu, kur kompania e Vuk Hamoviq është në proces të rilicencimit?!”, ka shkruar Ymeri.
Ajo shton se, sipas saj, jo vetëm që EFT-ja nuk është larguar nga tregu, por ndikimi i këtij grupi, siç pretendon ajo, vazhdon të ndikojë edhe në qëndrimet ndaj investimeve ndërkombëtare.
“Jo që nuk mori fund, por edhe ndikimi i këtij grupi t’i dikton edhe përgjigjet ndaj investimeve ndërkombëtare”, ka shkruar deputetja e zgjedhur e LDK-së. /Lajmi.net/