Aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri, ngarkohet se ia ndali të dëmtuarit mbi 309 mijë euro të cilat ishin destinuar për të nga ministria

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10 tetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri duke e ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”. Tahiri akuzohet se përfitoi kundërligjshëm 309 mijë e 542 euro nga kompensimi i ndarë nga ministria për të dëmtuarin Xhabir Kajtazi, të cilin po e përfaqësonte në një procedurë të rritjes…

Lajme

14/10/2025 16:18

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10 tetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Ahmet Tahiri duke e ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”. Tahiri akuzohet se përfitoi kundërligjshëm 309 mijë e 542 euro nga kompensimi i ndarë nga ministria për të dëmtuarin Xhabir Kajtazi, të cilin po e përfaqësonte në një procedurë të rritjes së vlerës së shpronësimit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Ahmet Tahiri ngarkohet se me datë 7 prill 2025 në Prishtinë, me dashje i keqpërdorë autorizimet e tij me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme në dëm të pasurisë së të dëmtuarit “Union’’ SH.P.K me pronar Xhabir Kajtazin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Tahiri, duke përfaqësuar interesat pasurore të të dëmtuarit, në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar ligjor – avokatit dhe personit që kishte detyrimin ligjor për të, pas marrëveshjes gojore me të dëmtuarin lidhur me shpërblimin për përfaqësim në procedurën e rritjes së vlerës së shpronësimit, përfiton kundërligjshëm një shumë të caktuar të hollash nga kompensimi i ndarë për të dëmtuarin nga ministria përkatëse, duke mos respektuar marrëveshjen fillestare, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në shkallë të madhe.

Me këto veprime, Tahiri ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” nga neni 330, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Prokurori i shtetit i ka propozuar Gjykatës që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit kundër të pandehurit Tahiri, të ketë parasysh shkallën e lartë të dashjes së të pandehurit për kryerjen e veprës penale, cenimin e pasurisë, lartësinë e dëmit, faktin që vepra penale është kryer nga një avokat, si dhe rrethana të tjera që do të rrjedhin gjatë gjykimit.

Po ashtu, është propozuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”. Dhe se, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, analizimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri Tahiri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale që i vihet në barrë.

Në arsyetimin e aktakuzës thuhet se gjendja faktike vërtetohet nga deklarata e të dëmtuarit si dhe nga pohimi i të pandehurit se atë pjesë të të hollave e ka ndalur me pretendimin se i përkasin nga marrëveshja e tyre gojore.

Deklarimi i të dëmtuarit Xhabir Kajtazi në Prokurori: Avokati Tahiri nuk ma transferoi shumën prej 309 mijë e 542 euro

I dëmtuari Kajtazi në deklarimin e dhënë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më 2 korrik 2025, në prezencë të avokatit Gëzim Kolgeci, ka deklaruar është pronar i kompanisë “Unioni” Sh.p.k dhe se me avokatin- tani të akuzuarin Tahiri kishin biseduar diku afërsisht rreth vitit 2024 për ta përfaqësuar në procedurë jokontestimore, me propozim të dhëndrit.

Sipas të dëmtuarit, ai ia dha autorizimin për përfaqësim avokatit Tahiri, duke u dakorduar verbalisht që shpenzimet e procedurës së përfaqësimit t’i paguajë sipas tarifës së avokatëve të Kosovës, përfshirë edhe përqindjen e përfundimit të procedurës, pa u precizuar vlera e përqindjes.

Në aktakuzë thuhet se Kajtazi deklaroi që pas përfundimit të procedurës gjyqësore, avokati Tahiri ishte lajmëruar në zyrën e tij, duke e njoftuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, por pa ia prezentuar vendimin fizikisht- vetëm e kishte dërguar të fotografuar në Viber.

Gjithnjë sipas deklarimeve të të dëmtuarit Kajtazi, më 3 dhjetor 2024 avokati Tahiri kishte kërkuar nga Gjykata që mjetet e aprovuara të kompensimit të barten në llogarinë e tij personale dhe jo të kompanisë. Tha se këtë e kishte pranuar në mirëbesim.

Sipas Kajtazit, Tahiri kishte pranuar nga Ministria në dy këste shumën totale prej 2 milionë e 547 mijë e 542 euro dhe se në llogarinë e kompanisë së Kajtazit, avokati i kishte transferuar shumën prej 2 milionë e 100 mijë euro. Aty thuhet se kur e kishte pyetur se pse iu transferua vetëm kjo shumë, i akuzuari Tahiri i kishte thënë se ende nuk është bërë transferi i këstit të dytë.

Në aktakuzë, përshkruhet se i dëmtuari tha se pritën deri në prill, e meqenëse kishte kaluar kohë e gjatë dhe nuk kishin asnjë informacion, i kishte kërkuar dhëndrit ta pyeste Tahirin se çfarë ka ndodhur, e që më pas ky i fundit kishte shkuar në zyrë dhe kishte pranuar se kësti i dytë është transferuar, por se 9-10 përqind i takojnë atij si avokat.

Më pastaj, i dëmtuari ka deklaruar se më 7 prill 2025, Ahmet Tahiri ia transferoi 138 mijë e 351 euro e 79 centë, por kishte mbetur pa u transferuar edhe shuma prej 309 mijë e 542 euro dhe se sipas tij, prej asaj dite e deri më sot këto para Tahiri nuk pranon t’ia transferojë.

Po ashtu, Kajtazi ka deklaruar se s’kishin marrëveshje të shkruar por vetëm verbale, dhe se dëshmitar i gjithë kësaj marrëveshje është dhëndri i tij, Besnik Shabani.

Dy ditë më pas (më 9 prill), thuhet se avokati Tahiri ia kishte dërguar në kompani dy fatura për shërbimet juridike, duke theksuar se nuk kanë nevojë t’i paguajnë sepse janë të paguara.

Deklarimi i të pandehurit Ahmet Tahiri në Prokurori: Pjesën që e ndala ishte nga kësti i dytë i ministrisë, ngase Kajtazi s’pranoi kompensimin me siç jemi dakorduar fillimisht

Sipas aktakuzës, avokati Tahiri më 2 korrik 2025 ka dhënë deklaratë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në prezencë të avokatit Adrianit Ibrahimi. Aty ka thënë se me të dëmtuarin Kajtazi njihet nga viti 2013 në një bankë, ku ai kishte qenë praktikant, ndërsa Kajtazi aksionar.

Në aktakuzë thuhet se Tahiri ka treguar se me Kajtazin ka pasur disa bashkëpunime në cilësinë e përfaqësuesit të tij, por në rastin konkret ka ndodhur më 2024, kur vajza dhe dhëndri i Kajtazit i kishin kërkuar ndihmë juridike që ta përfaqësojë në disa raste- përfshirë edhe këtë ku po akuzohet tani.

Me Kajtazin, Tahiri ka thënë se janë dakorduar që ta përfaqësojë në disa raste kontestimore, jokontestimore përmbarimore, e penale, jo vetëm kompaninë e Kajtazit por edhe kompanitë e familjarëve të tij. Tha se marrëveshjet kanë qenë vetëm verbale, ngase ka menduar se me Kajtazin nuk do të ketë probleme shkaku i raportit shoqëror me familjarët e tij dhe faktin që asnjëherë nuk ka kërkuar avanc.

Sipas avokatit Tahiri, nga i dëmtuari dhe personat përgjegjës të dy kompanive tjera ka marrë autorizime për përfaqësim- përfshirë edhe për rastin konkret. Ai ka thënë që pas aprovimit të kërkesës për kompensim nga Ministria përkatëse, shuma e cila do t’i kompensohej Xhabir Kajtazit ishte 2 milionë e 540 mijë euro, por që sipas tij, nuk i kujtohet saktë shuma totale. Ka thënë se Ministria do të kompensonte një pjesë në fund të vitit 2024 në shumën prej 2 milionë e 100 mijë euro, kurse pjesa tjetë rreth 400 mijë euro- brenda afatit 60 ditor.

Në aktakuzë thuhet se avokati deklaroi që sipas marrëveshjes verbale me të dëmtuarin, mjetet monetare do të derdheshin në llogarinë zyrtare të biznesit “Tahiri & Partners” sh.p.k., ku ai është pronar me 100% të aksionit. Në atë xhirollogari, thuhet se ka qasje vetëm i pandehuri.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri ka thënë se pas pranimit të mjeteve monetare nga Ministria, nëpërmjet bankës ka transferuar shumën prej 2 milionë e 100 mijë euro në llogarinë e Kajtazit, konkretisht të kompanisë “Union” sh.p.k. Më pas, thuhet se pas transferimit të parë, Tahiri ka shkuar në zyrë të Kajtazit dhe ka kërkuar kompenismin për shërbimet juridike të ofruara- sipas marrëveshjes gojore (9% neto), plus të gjitha tatimet veçmas.

Më tej, Tahiri kishte deklaruar në Prokurori se kur t’i dalin të gjitha mjetet në llogari do e kompensonte dhe se sipas tij, i është lutur që për hir të relacioneve shoqërore me dhëndrin e tij dhe meqë djali i tij kishte probleme financiare, t’i bëhej kompensimi me ndonjë pronë, ngase atij i nevojiteshin paratë.

Pas transferit të pjesës së mbetur nga ana e ministrisë në llogarinë e tij, thuhet se ai kontaktoi me kontabilistin e kompanisë- në mënyrë që të bëhen llogaritjet dhe përpilimi i faturave për rastin konkret dhe një tjetër, meqenëse sipas Tahirit, si rezultat i punës së tij profesionale ai arriti të përfitojë shumën rreth 102 mijë euro. Më pas, ka thënë se ia transferoi edhe shumën e mbetur prej 139 mijë euro në llogarinë e tij.

Aty thuhet se i pandehuri deklaroi se nuk ka mbetur asnjë shumën pa u transferuar ngase e gjithë shuma e kompensimit i është transferuar të njëjtit- ka marrë pjesën e tij dhe ia ka transferuar pjesën e mbetur Kajtazit. Avokati ka thënë se pjesën që e ndali ishte nga kësti i dytë i transferuar nga ministria, pasi sipas tij, Kajtazi s’ka pranuar të kompensohet me kesh- transfer bankar ashtu siç jenë dakorduar me fillim, pasi që kompensimi bëhet në bazë të tarifave por edhe në bazë të marrëveshjes së lirë të palëve.

Në aktakuzë thuhet se Tahiri deklaroi që pasi nga takimi i fundit ishte irrituar me Kajtazin me arsyetimin se ky i fundit pretendonte se marrëveshja fillestare duhej ndryshuar, nuk ka kontaktuar fare me të edhe pse ka tentuar që përmes familjarëve ta bindin t’ia transferojë të gjithë këstin e dytë të dëmtuarit dhe më pas ta kompensonte atë.

Faturat lidhur me shërbimin si avokat, Tahiri ka thënë se i janë dërguar përmes e-mailit Kajtazit, dhe që nuk i ka kontestuar dhe as nuk ka pranuar të lidhin marrëveshje me shkrim, ngase njiheshin tash e sa kohë.

“Marrëveshja e tyre ka qenë që pas secilit vendim të formës së prerë të bëhet kompensimi mirëpo ai ka treguar mirëkuptim dhe ka pritur deri sa të bëhet ekzekutimi i vendimit apo transferimi i mjeteve. Kjo për arsye se i njëjti nuk i kishte kompensuar me një rast tjetër paraprak me shumë 12 mijë euro neto dhe nga frika se mos do të veprojë njëjtë dhe po ashtu veproj konform ligjit mbi avokatinë”, citohet të ketë deklaruar avokati.

Deklarimi i dëshmitarit Besnik Shabani në Prokurori: S’kam qenë prezent në takimin mes Kajtazit dhe Tahirit, s’di çfarë marrëveshje kanë arritur

Në aktakuzë, si dëshmitar listohet Besnik Shabani- dhëndri i të dëmtuarit Kajtazi, i cili sipas këtij të fundit, e kishte njoftuar me avokatin Tahiri, me të cilin kishte raporte shoqërore.

Shabani në Prokurori ka deklaruar se nuk ka qenë prezent në takimin që Kajtazi ka pasur me avokatin Tahiri, dhe se nuk ka informata se çfarë marrëveshje kanë arritur mes njëri-tjetrit.

Shabani ka pohuar se Kajtazi e kishte telefonuar duke i thënë se Tahiri s’po i transferon të gjitha mjetet financiare të cilat i janë ndarë nga ministria, për çka, thuhet se Shabani e kishte telefonuar më pastaj Tahirin e që nga ky i fundit i ishte thënë se mjetet financiare për shërbimet e ofruara nuk i janë kompensuar. Sipas dëshmitarit, kishte kërkuar t’ia transferojë mjetet Kajtazit.

Sipas Shabanit, nga informata që kishte, Tahiri duhej t’ia transferonte Kajtazit shumën prej 2 milionë e 100 mijë euro, e që i kishte transferuar vetëm 138 mijë euro.

Prokuroria: Shumën prej 309 mijë e 542 euro, Tahiri e ka mbajtur pa marrëveshje të shkruar ose verbale të dyanshme

Fillimisht, Prokuroria sqaron se në kërkesën për sqarim nga Deprtamenti Ligjor/ Ministria e Drejtësisë më 10 korrik 2025 është dhënë sqarim në bazë të legjislacioneve përkatëse në fuqi se pengu i mundëson avokatit pagesën e shpërblimit dhe shpenzimeve si mjet sigurie në rastet kur klienti dështon në përmbushjen e obligimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja midis tyre, por kjo dispozitë nuk nënkupton në asnjë mënyrë të drejtën e avokatit t’i ndal apo t’i përdorë mjetet të cilat i janë dhënë në destinim të caktuar. Aty thuhet se nga aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 26 shtator 2019, rezulton se i dëmtuari Xhabir Kajtazi është kompenzuar shtesë për patundshmërinë e shpronësuar.

Prokuroria ka arritur në përfundim se nga provat që janë listuar si në aktakuzë, formohet dyshimi i bazuar mirë se Tahiri është kryerës i veprës penale “Keqpërdorimi i besimit”.

Sipas Prokurorisë, nga provat e bashkëngjitura në kallëzim penal, deklarata e të pandehurit- i cili pranon se nuk ia ka trasnferuar të dëmtuarit të gjithë shumën e ndarë nga organi kompetent, vërtetohet dyshimi i bazuar se i pandehur ika kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokurori i rastit nuk ia ka falur besimin deklaratës së Tahirit që marrëveshja fillestare verbale ka qenë 9% neto plus tatimet veçmas, ngase i pandehuri nuk ka arritur ta provojë një fakt të tillë.

Prokuroria arrin në përfundimin se i pandehuri ka qenë i autorizuar të pranojë shumën monetare të transferuara nga Ministria me destinim të klientit, por që Tahiri shumën prej 309 mijë e 542 euro e ka mbajtur pa marrëveshje të shkruar ose verbale të dyanshme, si dhe pa dëshmi për dakordim të shumës dhe lartësisë së shpërblimit, duke e dëmtuar të dëmtuarin Kajtazi.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Tahiri ka pasur për obligim që paratë e destinuara për Kajtazin t’ia transferojë në tërësi e jo njëanshëm të ndal një pjesë të caktuar, duke supozuar se nuk është shpërblyer dhe duke paragjykuar se nuk do të shpërblehet nga Kajtazi në fund të procedurës.

Prokuroria thekson se Tahiri ka pretenduar se paratë i ka ndalur si “peng” meqë i dëmtuari s’ka pranuar ta kompensojë me para kesh-trasnfer bankar sikurse janë dakorduar fillimisht,  por se sipas Prokurorisë, për pengun nevojitet një marrëveshje e qartë mes palëve, si dhe dakordim të dy palëve dhe se pengu njëanshëm nuk krijohet.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se është bërë vlerësim objektiv dhe i ndërgjegjshëm i secilës provë veç e veç dhe në fund nga të gjitha së bashku, në tërësi vërtetohet se të pandehuri me dashje dhe vetëdije të plotë ka ndërmarrë veprime për të kryer veprën penale të keqpërdorimit të besimit.

Avokati Tahiri: Aktakuza ndaj meje është puro politike

I kontaktuar nga Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Ahmet Tahiri tha se aktakuza është ngritur për qëllime politike.

“Unë faktikisht jam njoftu prej mediave se unë nuk jam njoftu prej Prokurorisë asnjë e-mail, asnjë shkresë, krejt çka kam pa ka qenë në media, mendoj se është puro politike për faktin se është ngritë domethanë dy ditë para zgjedhjeve, të premten në ora 14:30 të paktën në këtë orë e kam pa në media. Është çështje politike sepse të gjitha veprimet e mia janë konform Ligjit të Avokatisë- përkatësisht nenit 22, paragrafi 2 dhe 3. Shikoni lexoni çka thotë ai nen dhe e vlerësoni se a ka bazë për ngritje të aktakuzës apo jo”, tha avokati Tahiri.

Ndryshe, aktakuza ndaj Tahiri është dorëzuar për gjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm- Penal.