Prokuroria e Prishtinës deklarohet për bastisjet tek ARBK-ja, jep detaje se mbi çfarë dyshimesh nisi aksioni (Pamje)

Prokuroria Themelore e Prishtinës me anë të një komunikate ka dhënë informata në lidhje me aksionin e sotshëm, ku u bastis Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ky aksion u bë për shkak të dyshimeve  për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës…

Lajme

18/03/2026 10:24

Prokuroria Themelore e Prishtinës me anë të një komunikate ka dhënë informata në lidhje me aksionin e sotshëm, ku u bastis Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ky aksion u bë për shkak të dyshimeve  për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së, transmeton lajmi.net.

Komunikata e plotë:

Aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Prishtinë, 18 Mars 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion.

Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  për shkak të dyshimeve  për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së.

Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit.

Lidhur me zhvillimet e mëtejme, do të njoftoheni në vazhdimësi./lajmi.net/