Aksident, në mesin e dhjetë të vrarëve edhe notarja e njohur franceze
Tetë shtetas francezë, shumica e tyre sportistë, dhe dy pilotët e tyre argjentinas, vdiqën mbrëmë pasi dy helikopterë u përplasën në provincën La Rioja, në veriperëndim të Argjentinës.

Bota
Në mesin e të vrarëve ishte edhe sportistja e njohur e garave olimpike, notarja Camille Muffat, 25 vjeçe, e cila kishte fituar edhe medaljen e artë në 400 metra, stil të lirë, në Lojërat Olimpike Londra 2012.
Po ashtu, në këtë aksident vdiq edhe boksieri i njohur, Alexis Vastine, 28 vjeç, i cili fitoi medaljen e bronzit në Olimpiadën e Pekinit 2008.
“Vdekja e papritur e shtetasve francezë është një trishtim i madh për të gjithë Francën”, ka thënë presidenti francez, Francois Hollande, për sportistët që ishin bërë bashkë për të xhiruar një emision për televizionin TF1.
Shkaku i përplasjes së këtyre dy helikopterëve, sipas autoriteteve argjentinase, mbetet ende i paqartë. Dyshohet që ndonjëri prej tyre të ketë pasur probleme teknike, pasi kushtet atmosferike ishin të mira për fluturim.