Akreditohen 28.720 vëzhgues
KQZ do të mundet që t’i japë sa më shpejt dhe e para rezultatet për Kryetarë të Komunave. Pastaj, rezultatet për Asamblet Komunale.

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 28 mijë e 720 vëzhgues, të cilët do të mbulojnë procesin zgjedhor të 3 nëntorit në tërë territorin e Kosovës.
Janë akredituar vëzhguesit e partive politike dhe vëzhguesit e shtëpive mediatike.
Kjo është bërë e ditur nga Miradie Mavriqi, Drejtoreshë Ekzekutive për regjistrimin e partive politike dhe certifikim.
“Zyra ka përgatitur dy rekomandime për akreditim të vëzhguesve. Rekomandimi i parë ka të bëjë me subjektet politike dhe OJQ’të, gjegjësisht e ka përgatitur raportin për 1.219 vëzhgues të partive politike, 5 të nismave qytetare, 3 ambasada, 1 organizatë ndërkombëtare, 4 organizata joqeveritare vendore dhe 1 institucion ndërkombëtar”.
“Zyra ka e përgatitur edhe rekomandimin për akreditimin e grupit të dytë të shtëpive mediatike, gjithsej janë 9 shtëpi mediatike që kanë aplikuar për akreditim të vëzhguesve me gjithsej 91 vëzhgues dhe nëse mblidhen këto dy rekomandime janë 1310 vëzhgues”.
Në mbledhjen e KQZ’së janë miratuar edhe disa pika të tjera të rendit të ditës, siç ishin shqyrtimi dhe miratimi për menaxherët e QV’ve dhe stafin teknik.
KQZ thotë se gjithçka është gati për zgjedhjet e 3 nëntorit.
Anëtari i KQZ nga PDK, Betim Gjoshi, thotë se ky institucion është më i përgatitur si kurrë më parë për datën 3 nëntor.
“Kemi rregulluar të gjitha mungesat e herës së kaluar, ose rastet me zbrasëtira ligjore” .
“Gjithashtu kemi përdorur praktikat e mira që kemi pasur si në zgjedhjet e Kaçanikut dhe të Ferizajit”.
“Ne do t’i japim përaprësi dhënies së rezultateve për Kryetar të Komunave, sepse janë shumë të nevojshme për opinionin dhe për ne, pastaj për Asamble Komunale”.