AKK kundërshton Projektligjin për Pronën Publike: Rrezikon autonominë e komunave dhe centralizon pushtetin

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj Projektligjit për Pronën Publike, duke paralajmëruar se dispozitat e tij cenojnë autonominë lokale dhe krijojnë bazë për centralizimin e kompetencave në nivelin qendror. Përmes një reagimi, AKK vlerëson se projektligji kufizon të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e tyre, një…

Lajme

23/07/2026 10:20

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj Projektligjit për Pronën Publike, duke paralajmëruar se dispozitat e tij cenojnë autonominë lokale dhe krijojnë bazë për centralizimin e kompetencave në nivelin qendror.

Përmes një reagimi, AKK vlerëson se projektligji kufizon të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e tyre, një kompetencë që, sipas tij, përbën një nga shtyllat themelore të vetëqeverisjes lokale.

“Projektligji për Pronën Publike paraqet një tendencë shqetësuese të centralizimit të kompetencave dhe cenon një nga shtyllat themelore të vetëqeverisjes lokale, atë të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e tyre”, thuhet në reagim.

AKK thekson se projektligji bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, konkretisht me nenin 14, i cili u garanton komunave të drejtën për të administruar pronën e luajtshme dhe të paluajtshme. Sipas Asociacionit, ai nuk është në përputhje as me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, e cila garanton autonominë dhe mbrojtjen e kompetencave të pushtetit lokal.

Sipas AKK-së, nëse projektligji miratohet në formën aktuale, komunave mund t’u kufizohet ndjeshëm e drejta për të menaxhuar asetet e tyre, ndërsa niveli qendror do të fitojë kontroll më të madh mbi pronat që shërbejnë për zhvillimin ekonomik dhe projektet me interes publik.

Asociacioni rikujton se prona komunale nuk është vetëm një aset administrativ, por një instrument kyç për zhvillimin lokal. Përmes saj, komunat planifikojnë zhvillimin urban, krijojnë zona ekonomike, tërheqin investime dhe realizojnë projekte infrastrukturore, si ndërtimi i shkollave, çerdheve, qendrave shëndetësore, rrugëve, objekteve sportive dhe kulturore.

Po ashtu, AKK shpreh shqetësimin se komunat tashmë përballen me barrë të shtuar financiare si pasojë e vendimeve të nivelit qendror, ndërsa kufizimi i kompetencave mbi pronën do ta vështirësonte edhe më tej funksionimin e tyre.

Në fund, Asociacioni i Komunave i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos procedojë me miratimin e Projektligjit për Pronën Publike pa një dialog të mirëfilltë me komunat dhe pa harmonizimin e tij me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

“Autonomia lokale nuk është privilegj i komunave, por garanci kushtetuese për qytetarët. Mbrojtja e pronës komunale është mbrojtje e decentralizimit, e zhvillimit ekonomik lokal dhe e një shteti demokratik ku kompetencat respektohen në çdo nivel të qeverisjes”, thuhet në reagimin e AKK-së. /Lajmi.net/