AKB: Sivjet mbi 40 milionë euro investime të huaja më pak se në vitin e kaluar

Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka publikuar pjesën e parë të hulumtimit “Vlerësimi i Nevojave te tregut të Punës 2019” në mbështetje të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Lajme

29/11/2019 13:55

Agim Shahini, kryetar i këtij institucioni tha se ky hulumtim, realizohet për herë të shtatë në Kosovë nga AKB-ja dhe sivjet publikohet në tri pjesë pasi që është voluminoz dhe interesant për publikun dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare, por dhe për të lansuar më mirë edhe nëpër qendrat të tjera të Kosovës.

Sipas tij zhvillimi ekonomik karakterizohet kryesisht nga ndërmarrjet e vogla, të mesme e të mëdha, remitencat dhe investimet  e huaja.

“Vendi ynë kategorizohet si vend me të ardhura të ulëta. Sektori privat është përballur me mjaft sfida si informaliteti i lartë e barrierat e shumta ku sivjet është më keq se më parë”, ka thënë Shahini.

Sipas tij rritja ekonomike më 2018 ishte 3.8 për qind derisa më 2017 ishte 4.2. Rritja ishte shkak i remitencave  nga diaspora që ishin burim i zhvillimit sidomos në patundshmëri dhe janë të hyrat më të mëdha mbi 800 milionë euro e që janë dyfish më shumë.

Ai ka theksuar se në vitin 2019 janë regjistruar 40 milionë më pak investime të huaja sesa në vitin paraprak, transmeton Klan Kosova.

“Më 2018 janë punësuar 345  mijë veta apo më pak 11 mijë e 964 sesa më 2017 ku ishin punësuar 357 mijë veta. Ka një trend të rritjes së mbylljes së bizneseve të huaja ku  më 2018 janë  mbyllur 65. Më 2018 janë regjistruar 9.960 biznese, derisa kanë mbyllur 1592. Derisa biznese të huaja më 2018 ishin regjistruar 755 ku ka ulje për 12 sosh nga viti paraprak. Ndërsa biznese të huaja janë mbyllur 65”.

“Më 2018 remitencat shënuan rritje  në 800.6 milionë euro.e të cilat shërbejnë si burim për konsum e investim të cilat më së shumti bëhen në patundshmëri. Investime të huaja direkte më 2018 kanë rënë në 213.7 milionë euro apo 46 për qind më pak se më 2011 kur ishin 384.4 milionë euro investime të huaja”.