“Ajo nuk është Bibël”, Lajçak kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për Asociacionin

Përveç që Asociacioni është shndërruar në “mollë sherri” për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tani nga BE kanë ardhur deklarata befasuese që kërkojnë edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Lajme

16/10/2020 10:57

Madje është vet emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ai që pas takimit që pati dje në Beograd me presidentin serb,  Aleksander Vuçiq, tha se Kosova për Asociacionin mund ta ndryshojë edhe Kushtetutën, shkruan lajmi.net.

Kjo e fundit siç u shpreh Lajçak “nuk është bibël” që të mos mund të ndryshohet.

“Është thënë qartë se ajo që është premtuar duhet të realizohet, përfshirë Asociacionin. Është e logjikshme që të ndryshojë Kushtetuta. Nuk ka thënë askush se nuk guxon të ndodh. Kushtetuta nuk është Bibël”, tha Lajçak.

Mesazhe se Kosova duhet t’i përmbahet në çdo formë zotimit të saj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Lajçak dha edhe dje në Prishtinë.

Para mediave kosovare, ai madje tha se nuk do të ketë marrëveshje finale pa Asociacion.

Në këtë kuadër, Lajçak refuzoi të komentonte në lidhje me njohjen reciproke, dhe nëse Asociacioni është çmimi që Kosova duhet ta paguajë për ta fituar njohjen nga Serbia. /Lajmi.net/

Lajçak pyetet për njohjen reciproke: Për të marrë, duhet të jesh i gatshëm të japësh diçka