AIP: Kosova pret për herë të parë European Case Handling Workshop 2025, ngjarjen evropiane për mbrojtjen e të dhënave
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur se nga 17 deri më 19 nëntor 2025, në Prishtinë do të mbahet ngjarja ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Kjo është hera e parë që Kosova pret një ngjarje…
Lajme
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur se nga 17 deri më 19 nëntor 2025, në Prishtinë do të mbahet ngjarja ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Kjo është hera e parë që Kosova pret një ngjarje të këtij niveli në fushën e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave.
Punimet e ECHW 2025 do të nisin më 17 nëntor, në ora 09:30, në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë. Ngjarja do të mbledhë rreth 70 pjesëmarrës nga 23 shtete evropiane, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Gjermaninë, Luksemburgun, Irlandën, Lituaninë, Maltën, Holandën, Norvegjinë, Poloninë, Slloveninë, Kroacinë, Suedinë, Zvicrën, Hungarinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Çekinë, Estoninë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në hapjen e punëtorisë pritet të marrin pjesë gjashtë komisionerë të autoriteteve kryesore evropiane për mbrojtjen e të dhënave, ndër ta:
Zdravko Vukić, Nënkryetar i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe Drejtor i AZOP-it,
Mirosław Wróblewski, President i UODO-s në Poloni,
Brent Homan, Komisioner i Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave të Guernseyt (ODPA),
Recep Keskin, Komisioner i KVVK-së së Turqisë,
Gwendal Le Grand, Zëvendës Shef i Sekretariatit të EDPB-së.
Punëtoria do të fokusohet në sfidat aktuale të privatësisë në epokën e transformimit digjital dhe inteligjencës artificiale, duke trajtuar tema si kamerat inteligjente dhe biometria në hapësira publike, fenomeni deepfake, mbrojtja e të dhënave të fëmijëve në platformat digjitale, përdorimi i të dhënave publikisht të qasshme (data scraping), bashkëpunimi ndërkufitar dhe përpunimi i të dhënave shëndetësore.
Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, mbajtja e ECHW 2025 në Prishtinë shënon një arritje të rëndësishme për Kosovën, duke reflektuar progresin institucional dhe rritjen e besueshmërisë së vendit në arenën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave.
Ngjarja synon gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve evropiane, shkëmbimin e praktikave më të mira në trajtimin e rasteve dhe harmonizimin e zbatimit të GDPR-së në mbarë kontinentin.